Analizë / Kur kompromiset ndëshkohen në zgjedhje: Rasti i LSDM-së

Nga B.M
570 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 prill, Zhurnal.mk  Një parti politike tejet pro-evropiane nuk do të thotë doemos edhe me përkrahje më të madhe nga qytetarët.

Rasti i rënies drastike të LSDM-së para dy viteve është rasti konkret se në Ballkanin Perëndimor, çështjet e identitetit e mposhtin dëshirën për hyrje në BE me çdo kusht, nëse e njëjta, përkatësisht vendet anëtare të saj e sulmojnë të njëjtin identitet.

Por rasti i sulmeve të Bullgarisë ndaj identitetit maqedonas, nuk është rast i zakonshëm e as i vetmi. Maqedonasit, përkatësisht Maqedonia më herët u përballë edhe me sulmet nga Greqia si kusht për hyrje në NATO.

Pikërisht këto dy situata e ngjarje e dërguan LSDM-në ashpër në opozitë dhe që nga atëherë ajo ndodhet shumë dobët me përkrahje nga qytetarët maqedonas, si pasojë e sakrificës së saj për hyrje në NATO, e premtimin për hyrje në Bashkimin Evropian, shkruan Zhurnal.mk

Rënia masive e LSDM-së 

Rënia drastike e përkrahjes ndaj LSDM-së në zgjedhjet e fundit, e të cilën gjë e thonë edhe anketat e këtij viti, ka të bëjë me disa arsye të tjera ndryshme, por në krye të listës ndodhet kompromisi me Greqinë e pastaj me Bullgarinë e BE-në.

Kompromiset me emër shteti ndodhën ajo sa ishte në pushtet me BDI-në. Pas Greqisë për NATO, vazhdoi në vitin 2022 me Bullgarinë dhe BE-në kur e pranoi kushtin për ndryshime të Kushtetutës së vendit për bashkësinë bullgare, pa marrë ndonjë garanci se goditjet e Sofies ndaj identitetit dhe gjuhës maqedonase do të ndalen.

E dyta, ka të bëjë me qasjen e pamjaftueshme në betejën ndaj korrupcionit, gjendjen në ekonomi. 

E treta, qeverisja e saj me BDI-në dhe vrulli i të dyjave për procesin e premtuar të anëtarësimit në BE me çdo kusht, tek një pjesë e madhe e elektoratit maqedonas u lexua si “dorëzim” përballë BDI-së.

Të gjitha këto kanë ndikuar negativisht në imazhin publik të kësaj partie në elektoratin maqedonas, dhe rezultati i zgjedhjeve 2024 e vërteton këtë.

Në të njëjtën kohë, opozita a atëhershme, VMRO-DPMNE, arriti që ta vendosë narrativën politike, duke e paraqitur LSDM-në si të paaftë dhe të nënshtruar ndaj presioneve të jashtme, pra Bullgarisë, dhe ndaj BDI-së si parti partnere qeverisëse me LSDM-në. 

Rënia e përkrahjes vazhdon

Në vend që të udhëheqë me agjendë të vetën dhe kreativitet, LSDM duket se ndodhet në një qasje reaktive ndaj pushtetit. 

Ajo shpesh reagon ndaj temave të VMRO-DPMNE, duke humbur terren përkundër prezencës jashtëzakonisht të madhe të reagimeve të saj disa herë në ditë ndaj pushtetit, përkatësisht kundërshtarit kryesor të saj të udhëhequr nga Hristijan Mickoski.

Një qasje e këtillë reaktive krijon përshtypjen se LSDM ndodhet në fazën e mbijetesës, sesa si forcë politike e reformuar e gatshme për beteja të reja dhe për udhëheqje.

Kjo gjendje kështu tash e dy vite.

Ringjallja e përkrahjesë së partive opozitare nuk është çështje që ndodhë shpejtë. Zakonisht një subjekt i konsumuar nga pushteti ka nevojë për disa vite për të rikthyer besimin e dikurshëm. 

Koha e rikuperimit varet nga dy faktorë kryesorë sa shpejt arrin të prodhojë lidership të ri me energji dhe ide të freskëta, dhe sa dobët performon kundërshtari në pushtet, në këtë rast VMRO-DPMNE në qeverisje. 

Çfarë thotë anketa e fundit ?

Në zgjedhjet e dyfishta parlamentare dhe ato presidenciale LSDM pësoi humbje të thellë. Madje, kaloi edhe partia e tretë në nivel vendi, pas AKI-së, por pastaj një deputet i AKI-së iu mur dhe LSDM mbeti sërish partia e dytë në vend me vetëm 19 deputetë, krahasuar me VMRO-në e cila kishte 58 deputetë. 

Dy vite më vonë, në anketën e fundit, mars 2026, të realizuar nga Market Vision, LSDM ka rënë edhe më shumë, duke marrë vetëm 11,1% përkrahje, përkatësisht afro 5 herë më pak sesa VMRO-DPMNE.

Ky ndryshim tregon një konsumim të thellë të partisë, mungesë lidershipi të fortë dhe paaftësi për të imponuar narrativë politike. LSDM ka humbur terren në mënyrë dramatike, duke u shndërruar nga një parti e madhe në një subjekt periferik.

Çfarë mund të sjellë rritjen e LSDM-së?

Rritja e LSDM-së në opozitë mund të vijë vetëm nëse konteksti politik dhe ekonomik në vend krijon hapësirë për një rikthim. 

Krizat ekonomike dhe dëshpërimi i qytetarëve shpesh i japin opozitës mundësi të paraqitet si alternativë e shpresës, sidomos kur qeveria nuk arrin të menaxhojë si duhet inflacionin, papunësinë apo investimet. 

Po ashtu, rastet e krimit dhe korrupsionit që mund të shpërthejnë brenda përbërjes aktuale qeveritare do ta dobësonin VMRO-DPMNE-në dhe do t’i jepnin LSDM-së terren për ta paraqitur veten si opsion më të pastër.

Një tjetër faktor është dinamika ndërkombëtare ku hyrja e Malit të Zi dhe Shqipërisë në BE do ta thellonte ndjesinë e izolimit të Maqedonisë së Veriut, duke shtuar presion mbi qeverinë aktuale dhe duke rritur kërkesën për një alternativë pro evropiane. LSDM tashmë është duke i bërë presion VMRO-DPMNE për kthimin nga Hungaria të Gruevskit të arratisur,, dhe ekstradimi i tij eventual do t’i krijonte asaj teren të favorshëm në betejën politike ndaj kundështarit në pushtet. duke rikujtuar opinionin për abuzimet e së kaluarës. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër