Ramush Haradinaj: Mbrëmë fitoi Kushtetuta dhe ligji përballë populistit Albin Kurti

Nga D. V.
468 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 29 prill, Zhurnal.mk – Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se mbrëmë, me shpërndarjen e Kuvendit, sipas tij, ka fituar Kushtetuta dhe ligji përballë siç e quan ai, populistit Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, i pari i AAK-së, ndër të tjera tha se ka fituar vetëdija dhe rezistenca e opinionit publik e faktorit politik se nuk do të lejohet shkatërrimi i rendit politik e kushtetues të vendit.

Ai shton se ka fituar edhe koncepti se nuk ka individ e as parti që mund ta rrezikojë ekzistencën e shtetit.

“Megjithëse me ditën e djeshme Kosova i ka rrumbullaksuar gjashtë vjet të humbura nën këtë pushtet, prej sot nis një etapë e re për shtetin. Mbrëmë është përmbysur koncepti i partisë-shtet, ku një individ provon të bëhet mbret. Është përmbysur autokrati Albin Kurti”, ka shkruar ish-kryeministri i Kosovës.

Sipas Haradinaj, tash fjalën e ka sovrani, i cili sipas tij, mban mend e nuk falë.

“Vendimmarrja i është kthyer atij. Aleanca si parti dhe unë si drejtues i saj, kemi qenë bashkëpunues e të ndershëm sa s’ka për ta kaluar këtë krizë politike, por të tjerët ishin dehur pas pushtetit duke e harruar shtetin. Për Kosovën deri në frymën e fundit!”, tha Haradinaj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër