Vazhdojnë akuzat midis LSDM e VMRO-DPMNE për rrugën e bllokuar për në BE

Nga B.M
834 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 Maj, Zhurnal.mk – Të dy partitë kundërshtare maqedonase nuk kanë të ndalur me akuza e kundër-akuza ndaj njëra tjetrës, rreth rrugës së bllokuar për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, shkruan Zhurnal.mk

LSDM sot përsëri e akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski për qëndrimin e tij refusues ndaj kërkesës së BE-së të imponuar nga Bullgaria për të ndryshuar kushtetutën për bashkësinë bullgare.

LSDM tha në një komunikatë se Mickoski nuk e do ndryshimin e kushtutës sepse, siç tha partia opozitare, ai “nuk e do Bashkimn Evropian”.

“Ashtu siç premtoi se do të shfuqizonte Marrëveshjen e Prespës pa thënë se kjo do të thoshte dalje nga NATO, ashtu siç i gënjeu qytetarët se do ta kthente emrin në FYROM ose IRJM, ashtu siç gënjeu se identiteti maqedonas ishte i kërcënuar, ashtu po gënjen përsëri sot. Atëherë, Mickoski gjunjëzohej dhe lutej për pushtet, dhe sot Maqedonia është në gjunjë. Mickoski nuk e do Bashkimin Evropian. Ai nuk dëshiron rregulla evropiane, nuk dëshiron një ndjekje penale evropiane dhe kontroll evropian, sepse atëherë sistemi i krimit, tenderëve dhe abuzimeve nuk do të jetë në gjendje të funksionojë, por do të duhet të mbahet përgjegjës,” tha LSDM në një komunikatë.

VMRO-DPMNE ia ktheu me kundër-akuza, duke thënë thënë se LSDM dhe kreu i saj Venko Filipçe “duhet të punojnë më shumë për Maqedoninë sesa të spiunojnë në Bullgari.”

Partia e kryeministrit e kujtoi një anketë të muajit mars me qytetarët në të cilën thuhet se LSDM ka përkrahje vetëm nga 4,9%.

“SDS dhe Filipçe, me një vlerësim prej vetëm 4%, duke e ditur se askush në Maqedoni nuk i mbështet dhe nuk u jep rëndësi, iu drejtuan punës për vende dhe parti të huaja. SDS dhe Filipçe po përhapin me vetëdije kakofoni në hapësirën mediatike, sepse janë të humbur dhe nuk kanë asgjë për t’u ofruar qytetarëve, përveç gënjeshtrave, trillimeve dhe manipulimeve,” tha VMRO-DPMNE.
“Prandaj, SDS dhe Filipce thonë se ndryshimet kushtetuese janë hapi i fundit drejt BE-së, ndërsa kryeministri i ri bullgar Rumen Radev thotë kategorikisht në çdo paraqitje se pas ndryshimeve kushtetuese, Bullgaria do të ketë kërkesa të tjera. Vetëm Venko Filipçe dhe ata besnikë të Zoran Zaevit, të emëruar prej tij personalisht në strukturat e partisë SDS, besojnë se ndryshimet kushtetuese janë pengesa e fundit për Maqedoninë. Në vend që të qëndrojnë në anën e djathtë maqedonase dhe të mbrojnë vendin, SDS dhe Filipçe, duke ndjekur hapat e Zaevit, do ta ndryshojnë përsëri emrin për të ardhur në pushtet dhe për të vjedhur,” tha partia e Mickoskit, duke i thirrë partinë kundërshtare dhe Filipçen për siç tha “të ngrihen në mbrojtje të identitetit, integritetit dhe dinjitetit maqedonas.”

Mickoski dhe VMRO-DPMNE refuzojnë që të bëjnë ndryshimet kushtetuse për të futur në të bashkësinë bullgare, përderisa Bullgaria dhe BE nuk plotësojnë dy kundër-kushtet e tij.
Ai kërkon që Bullgaria të plotësojë kërkesat e tij për të drejtat e bashkësisë maqedonase në Bullgari, dhe së dyti që Bullgaria dhe vet BE të japin garancione zyrtare se Sofia nuk do të ketë kërkesa e kushtëzime shtesë për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin dhe gjuhën maqedonase, të cilën Bullgaria refuzon që ta njohë si të tillë por e trajton si derivat të gjuhës bullgare. / Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër