Korreshi: Në spitalin e Lushnjës mungojnë ilaçet, nuk punon skaneri

Nga D. V.
444 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 maj, Zhurnal.mk – Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi deklaroi sot në Kuvend, se në spitalin e Lushnjës mungojnë jo vetëm ilaçet për pacientët, por edhe alkooli dhe dorezat për mjekët dhe infermierët.

Në interpelancën e kërkuar me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, deputeti Korreshi nga Foltorja e Kuvendit tregoi me një foto mëngjesin që shërbehet në këtë spital.

“Vetëm një fetë bukë dhe një gotë kos. Ky është mëngjesi që konsumojnë pacientët në spitalin Lushnjë. Dhe nga auditimi që ka bërë ministria juaj, në punë nuk është kuzhiniere, por infermiere. Do presë ajo një fetë bukë dhe do mbushë një gotë kos që të hanë njerëzit”, tha Korreshi.

Sipas deputetit të PD-së, raporti i fundit i KLSh-së thotë që janë verifikuar në ambientet e spitalit Lushnjë se lavanderia, magazina dhe kuzhina ishin në kushte të këqija, muret me lagështi e myk, kushtet e gatimit dhe lavanderisë të papërshtatshme duke rritur riskun e infeksioneve te pacientët dhe punonjësit

Korreshi duke iu drejtuar ministres Sala, kërkoi të dijë se çfarë po bëhet me zhvendosjen e godinës së spitalit Lushnjë, pasi prej 8 muajsh pacientët janë transferuar në një “qenefhane”.

“Ekzistojnë dhe qytete të tjera përveç Tiranës, siç është Lushnja. Pse nuk vini bashkë me mua, dorë për dore të vizitojmë ambientet e spitalit Lushnjë? Qytetarët pyesin se ministrja duhet të rrijë në aeroplan apo duhet të shohë edhe spitalet që ka në varësinë e saj? Te kjo godina e re që po e bëni se ka tre vjet, kanë shkuar 300 milion lekë për urgjencën e re, ndërsa nga këto, 75 milionë lekë i ka ofruar si donacion një bankë. Si ka mundësi që për tre vjet u zhveshën dhe ranë muret prapë?”, tha Korreshi.

Deputeti Korreshi shtoi se në spitalin e Lushnjës sot mungon alkooli, vigonat, dorezat, si edhe një sërë medikamentesh nga paracetamoli, tramadoli, buscopan ampulë, serume, antibiotik etj

“Nuk punon skaneri, edhe dy EKG që kanë qenë i kanë dhuruar bankat. Në maternitet mungon kabulli që bën eko. Për 1200 euro që bën kabulli, gratë hipin nëpër katet e maternitetit dhe lindin nëpër shkallë”, tha Korreshi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër