Shkup, 21 maj, Zhurnal.mk – Dy vite pas shfyqizimit të “BalancER-it”, megjithatë, propozimi i ligjit të ri i hartuar nga qeveria e ruan kriterin e proporcionalitetit të përfaqësimit të popullësisë në punësime në sektorin publik, e cila ishte brenga kryesore e shqiptarëve të vendit nëse versioni i ri do të dëmtonte që në ligj përfaqësimin ekulibrues për krejt popujt dhe bashkësitë etnike të vendit.
Sot, dy vite më vonë propozim-ligji ka arritur në kuvend për shqyrtim të mëtutjeshëm nga deputetët para votimit për të, shkruan Zhurnal.mk.
Gjendja në punësim aktualisht në sektorin publik
Sipas raportit të avokatit të popullit të Maqedonisë së Veriut mbi punësimin në sektorin publik në vitin 2024, maqedonasit vazhdojnë që të dominojnë në punësimin në sektorin publik përtej përqindjes së të dhënave të regjistrimit të vitit 2021.
Viti 2024 i punësimit në sektorin publik tregon se maqedonasit zënë 71.0% të punësimit në sektorin publik, të ndjekur nga shqiptarët me 22.3%; turqit 2.2%; romët 1.3%; serbët 1.3%; vllehët 0.6%; boshnjakët 0.6% dhe të tjerët (etni të padeklaruar) 0.7%.
Në kohën e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, pra deri në kohën e konfliktit të armatosur, përqindja e shqiptarëve të punësuar në sektorin publik ishte rreth vetëm 4%.
Në regjistrimin e vitit 2021, sipas përkatësisë së tyre etnike, 58.44% e popullsisë rezidente (banuese) u deklaruan maqedonas, 24.30% shqiptarë, 3.86% si turq, 2.53% si romë, 0.47% si vllehë, 1.30% si serbë, 0.87% si boshnjakë dhe të tjerë.
Vazhdohet proporcionaliteti në punësim sipas “regjistrimit të fundit të popullsisë”
Në propozim-ligjin për “Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat” janë të precizuar qëllimet dhe parimet në bazë të cilave parashihet të zbatohet ky ligj.
Propozim-ligji synon të sigurojë zbatim të qëndrueshëm të këtij parimi përmes vendosjes së rregullave dhe mekanizmave, me të cilët thuhet se do të mundësojnë qasje të barabartë në punësim dhe përparim, si dhe procedura të drejta dhe transparente në sektorin publik.
Njëkohësisht, thuhet se synohet që të arrihet një ekuilibër i përshtatshëm ndërmjet nevojës për përfaqësimin e pjesëtarëve të të gjitha bashkësive në vend, nga njëra anë, dhe domosdoshmërisë për sigurimin e një administrate profesionale, efikase dhe politikisht neutrale, nga ana tjetër.
“Në këtë drejtim, ligji mbështetet mbi disa parime kyçe. Së pari, parimi i mosdiskriminimit dhe mundësive të barabarta, me të cilin garantohet se të gjithë qytetarët kanë qasje të barabartë në të gjitha funksionet publike në vend. Së dyti, parimi i meritës, profesionalizmit, kompetencës dhe integritetit, i cili siguron që cilësia e administratës publike të mbetet kriter primar gjatë punësimit dhe avancimit në vendin e punës. Së treti, parimi i transparencës dhe llogaridhënies, i cili nënkupton procedura të qarta dhe të kontrollueshme. Së katërti, parimi i gjithëpërfshirjes dhe kohezionit social, i orientuar drejt forcimit të besimit ndërmjet bashkësive,” thuhet në propozimin e qeverisë.
Në propozim-ligj qeveria thotë tekstualisht se një ndër parimet kyçe të cilat mbështet ky ligj është edhe “parimi i proporcionalitetit, me të cilin sigurohet që masat për përfaqësim të jenë të përshtatshme dhe të mos çojnë në cenimin e efikasitetit të institucioneve,” për të vazhduar thënë se si një nga “zgjidhjet kyçe, ligji vendos një dallim të qartë ndërmjet nocioneve “përfaqësim adekuat” dhe “përfaqësim i drejtë”.
“Përfaqësimi adekuat i referohet aspektit kuantitativ dhe nënkupton përfaqësim që përafërsisht pasqyron pjesëmarrjen e bashkësive në popullsi, bazuar në të dhënat e regjistrimit të fundit të popullsisë,” thuhet në propozim-ligj të dërguar në kuvend ditë më parë.
Çfarë përmbajnë tekstualisht nenet e ropozim-ligjit?
Teksti i dërguar nga qeveria në kuvend, kryesisht bazohet në 16 nene përmes të cilave janë të përcaktuara qëllimet, zbatimi, deklarimi i përkatësisë etnike, vëzhgimi e të tjera.
Neni 2 është ai i cili flet për proporcionalitet, dhe në brendi thuhet se përfaqësimi në punësimet në sektorin publik do të duhej të pasqyrojë “përafërsisht” gjendjen e pjesmarrjes në popullësi, pra sipas regjistrimit të fundit të popullësisë.
“Përfaqësimi adekuat është përfaqësimi i qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror dhe në institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet, i cili përafërsisht pasqyron pjesëmarrjen e tyre në popullsi, në përputhje me të dhënat e regjistrimit të fundit të popullsisë, si bazë referente për planifikim,” thotë Neni 2, paragrafi i parë i tij.

Neni 3
(1) Qëllimi i këtij ligji është të respektojë, afirmojë dhe avancojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror dhe në institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet.
(2) Ky ligj siguron qasje të barabartë në punësim dhe avancim në vendin e punës, pjesëmarrje dhe përfaqësim të qytetarëve në organet e pushtetit shtetëror dhe në institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet, si dhe nxit gjithëpërfshirjen dhe forcon kohezionin social përmes përcaktimit të mekanizmave institucionalë dhe proceduralë.
Më problematik del të jetë neni 6 ku deklarimi i përkatësisë etnike bëhet mbi bazë vullnetare, kjo e nxitur pas vendimit të 5 korrikut të vitit 2024 të Gjykatës Kushtetuese.
Neni 6 rregullon deklarimin e përkatësisë
(1) Çdo qytetar ka të drejtë të deklarohet lirisht për përkatësinë e tij ndaj cilit do komunitet në shtet. Kjo e drejtë ushtrohet individualisht ose së bashku me qytetarë të tjerë që i përkasin të njëjtit ose një komuniteti tjetër, pa asnjë lloj detyrimi apo presioni.
(2) Deklarimi i përkatësisë etnike është vullnetar.
(3) Qytetari ka të drejtë të mos deklarohet për përkatësinë ndaj asnjë komuniteti. Mosdeklarimi i qytetarit nuk mund të ndikojë në ushtrimin e të drejtave dhe lirive të tij, as në pozitën e tij në shtet.
(4) Deklarimi i lirë i përkatësisë së qytetarëve mund të kushtëzohet me kritere objektive, me qëllim parandalimin e keqpërdorimeve përmes deklarimit arbitrar.
(5) Për qëllime të parandalimit të keqpërdorimit të deklarimit arbitrar, sipas paragrafit 4 të këtij neni, si kritere objektive konsiderohen dokumentet personale të qytetarëve, përkatësisht emri personal i shënuar në letërnjoftim ose në ndonjë dokument tjetër publik të lëshuar nga organi kompetent në përputhje me ligjin.
Neni 10 rregullon çështjen e monitorimit
(1) Trupi Koordinues, në bashkëpunim me Agjencinë, ndjek dhe analizon rregullisht zbatimin e masave dhe aktiviteteve për sigurimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Për këtë qëllim, të paktën një herë në vit përgatit një raport, i cili i dorëzohet Qeverisë dhe publikohet në mënyrë të hapur në faqen zyrtare të Qeverisë.
(2) Me kërkesë të Trupit Koordinues, të gjitha organet kompetente janë të detyruara që, brenda 30 ditëve nga pranimi i kërkesës, të dorëzojnë të dhëna dhe informacione lidhur me gjendjen e përfaqësimit të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve.
Çfarë pritet nga miratimi i këtij ligji?
Me miratimin e këtij ligji pritet të ndodhë avancimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të të gjitha komuniteteve në vend, në nivel lokal dhe qendror. Si rritja e transparencës në procedurat e punësimit dhe avancimit në vendin e punës, zvogëlimi i mundësive për keqpërdorim dhe ndikim politik, forcimi i profesionalizmit të administratës publike dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe rritja e besimit në institucione. )
Në Propozim-Ligj thuhet që zgjidhjet e propozuara janë në përputhje me standardet dhe parimet evropiane, veçanërisht me rekomandimet e Komisionit të Venedikut.
Mbetet të shihet nëse do të mbështetet nga shumica e nevojshme për miratim, ndërkohë që partitë opozitare shqiptare thanë se nuk do ta mbështesin këtë propozim-ligj. /Zhurnal.mk
