Kina reagon ashpër ndaj planit të Trump për të kontaktuar Tajvanin

Nga D. V.
438 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Pekin, 21 maj, Zhurnal.mk – Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së fundit të Trump, duke thënë se Pekini kundërshton në mënyrë të prerë çdo kontakt zyrtar mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Tajvanit, si dhe çdo shitje armësh amerikane drejt ishullit.

Ndërsa, ministri tajvanez i Mbrojtjes, Wellington Koo shprehu një qëndrim optimist, lidhur me mundësinë e një pakete të re blerjesh ushtarake.

Ai theksoi se Uashingtoni ka përsëritur vazhdimisht se politika e tij ndaj Tajvanit mbetet e pandryshuar.

Dje në mbrëmje, presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se planifikon të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin e Tajvanit, Lai Ching-te, duke rritur mundësinë e një kontakti të drejtpërdrejtë, mes tensioneve për shitje të reja të mundshme armësh amerikane ndaj Tajvanit.

I pyetur nga gazetarët nëse kishte ndërmend t’i telefononte Lai përpara se të vendoste për furnizime të tjera ushtarake për Tajvanin, Trump u përgjigj: “Do të flas me të. Unë flas me të gjithë”.

“Ne e kemi nën kontroll situatën. Patëm një takim të shkëlqyer me presidentin kinez, Xi Jinping. Ishte vërtet i jashtëzakonshëm. Shumë prej jush ishin aty. Do të punojmë për këtë, për çështjen e Tajvanit”, shtoi ai.

Asnjë kontakt zyrtar që nga viti 1979

Një bisedë e drejtpërdrejtë mes një presidenti amerikan në detyrë dhe një lideri tajvanez do të përbënte një shkëputje nga dekada të tëra të praktikës diplomatike.

Uashingtoni njohu zyrtarisht Pekinin në vitin 1979, duke ndërprerë njohjen diplomatike të Tajvanit, dhe që prej asaj kohe nuk ka pasur asnjë telefonatë të njohur publikisht, mes liderëve në detyrë të SHBA-së dhe Tajvanit.

Megjithatë, SHBA-ja ka ruajtur lidhje jozyrtare me Tajvanin dhe ka mbështetur kapacitetet mbrojtëse të ishullit, kryesisht përmes shitjeve të armëve.

Deklaratat e fundit vijnë në një kohë tensionesh mbi një paketë të mundshme amerikane armatimi për Tajvanin, me vlerë deri në 14 miliardë dollarë.

Kina e konsideron Tajvanin, i cili qeveriset në mënyrë demokratike, pjesë të territorit të saj dhe kundërshton fuqishëm çdo kontakt zyrtar mes Taipeit dhe qeverive të huaja.

Gjatë vizitës së presidentit amerikan, Trump në Pekin javën e kaluar, Xi Jinping theksoi se mënyra e trajtimit të çështjes së Tajvanit do të jetë vendimtare për stabilitetin në marrëdhëniet SHBA–Kinë.

Ndërsa Trump më pas deklaroi gjatë kthimit nga Pekini se dëshironte të zhvillonte një bisedë telefonike me presidentin tajvanez Lai.

Duke iu përgjigjur raportimeve për një kontakt të mundshëm të drejtpërdrejtë mes Trump dhe udhëheqjes së Tajvanit, Lai tha se do të theksonte se paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit janë thelbësore për sigurinë dhe prosperitetin rajonal, ndërsa akuzoi Kinën si burimin kryesor të paqëndrueshmërisë për shkak të manovrave të saj të vazhdueshme ushtarake.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër