Transferimi i Marcus Rashford te Barcelona në formë huazimi nga Manchester United ishte një nga temat më të bujshme të verës së kaluar, por sulmuesi anglez ka kaluar relativisht qetë muajt e tij të parë në Kataloni.
Megjithatë, diskutimet për të ardhmen e tij vazhdojnë të jenë të pranishme, sidomos për faktin nëse Barcelona do të vendosë ta mbajë përfundimisht në skuadër.
Klubi katalanas posedon një opsion blerjeje prej 30 milionë eurosh për Rashfordin, por drejtuesit blaugrana po tentojnë të negociojnë kushte më të favorshme me Manchester Unitedin.
Nga ana tjetër, klubi anglez nuk ka ndërmend të ulë kërkesat dhe insiston që klauzola të paguhet e plotë, përndryshe do të shqyrtojë oferta të tjera për lojtarin.
Vetë Rashford ka lënë të kuptohet në javët e fundit se ndihet i qetë për të ardhmen e tij.
Pas përfundimit të sezonit të Barcelonës të dielën, 28-vjeçari publikoi në Instagram mesazhin “Hungry for more”, një sinjal i qartë se dëshiron të vazhdojë aventurën në “Camp Nou”.
Një nga mbështetësit më të mëdhenj të Rashfordit te Barcelona ka qenë trajneri Hansi Flick. Edhe pse trajneri gjerman në disa raste ka kërkuar më shumë nga sulmuesi anglez, ai ka folur shpesh me tone pozitive për paraqitjet e tij.
Sipas raportimeve të fundit nga Marca, Flick ka zhvilluar së fundmi një bisedë direkte me Rashfordin, ku i ka bërë të qartë se dëshiron ta ketë pjesë të projektit edhe sezonin e ardhshëm.
Trajneri i Barcelonës thuhet se i ka komunikuar lojtarit se llogarit në të për sezonin e ri, gjë që e ka bërë anglezin të ndihet i qetë dhe optimist për të ardhmen e tij në Spanjë.
Megjithëse negociatat mes dy klubeve pritet të jenë të vështira, Barcelona duket e vendosur të bëjë maksimumin për ta mbajtur Rashfordin në skuadër.
Sulmuesi anglez, nga ana e tij, nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të vazhduar te gjiganti katalanas edhe në sezonin e ardhshëm.

