Haxhiu në BIK për Kurban Bajram: Sakrifica dhe solidariteti vlera që duhet të na bashkojnë

Nga D. V.
371 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 27 maj, Zhurnal.mk – Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, me rastin e festës së Kurban Bajramit, raporton Ekonomia Online.

Gjatë vizitës, Haxhiu ka përcjellë urimet e saj për besimtarët myslimanë dhe ka theksuar rëndësinë e vlerave që përcjell kjo festë.

Unë kam nderin që në festën e Kurban Bajramit të jem këtu në Bashkësinë Islame të Kosovës. Me këtë rast urova Myftiun Naim Tërnava, por edhe bashkëpunëtorët e tij për festën e Kurban Bajramit. Me këtë rast më lejoni që të shpreh urimet e mia edhe për të gjithë besimtarët myslimanë, por po ashtu edhe për shqiptarët kudo që janë brenda Kosovës, por edhe jashtë saj për festën e Kurban Bajramit”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se kjo festë përcjell vlera të rëndësishme për shoqërinë.

“Festa e Kurban Bajramit është festë e shenjtë e besimit islam dhe kjo na kujton vlerat e sakrificës, solidaritetit, mirësisë, respektit e përkushtimit për vendin. Vlera këto të cilat duhet t’i mbajmë lart e më lart dhe rreth së cilave duhet të jemi të bashkuar edhe si institucione, edhe si qytetarë, por edhe si shoqëri”, tha ajo.

Haxhiu vlerësoi edhe punën e Bashkësisë Islame të Kosovës në ndihmën ndaj qytetarëve në nevojë.

“Unë sot po ashtu falënderova Bashkësinë Islame të Kosovës, falënderova Myftiun Tërnava për rolin pozitiv që kanë pasur në vazhdimësi në shoqërinë tonë, për ndikimin pozitiv për të luftuar dukuri negative me të cilat përballet shoqëria jonë, por gjithashtu edhe për ndihmën e qytetarëve në nevojë. Pra, është pikërisht Bashkësia Islame e Kosovës përmes Shoqatës Bereqeti, përmes bashkëpunëtorëve, partnerëve që kanë ndihmuar mijëra familje gjatë gjithë kësaj periudhe kohore. Faleminderit Myfti”, tha Haxhiu.

Ndërsa, ajo shtoi se Myftiu Tërnava ka përcjellë edhe një mesazh për rëndësinë e uljes së gjuhës së urrejtjes në shoqëri.

“Myftiu e dha sot edhe një mesazh dhe më njoftoi që ka pasur një ligjëratë në të cilën ka kërkuar që gjuha e urrejtjes, sulmet, gjuha lënduese të ndalohet sepse ajo nuk ka vend në shoqërinë tonë”, shtoi ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër