Portieri i Kombëtares së Kosovës, Aro Muric, do të vazhdojë karrierën e tij në Itali, pasi Sassuolo ka aktivizuar opsionin për blerjen e përhershme të kartonit të tij nga Ipswich Town.
Klubi anglez ka konfirmuar zyrtarisht marrëveshjen, duke bërë të ditur se portieri 27-vjeçar do të mbetet pjesë e skuadrës italiane pas një sezoni të kaluar në formë huazimi.
Gjatë edicionit 2025/26, Muric ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të Sassuolos, duke regjistruar 32 paraqitje në Serie A dhe duke fituar besimin e drejtuesve të klubit italian.
Në deklaratën zyrtare të Ipswich Town thuhet:
“Klubi mund të konfirmojë se portieri Arijanet Muric do t’i bashkohet skuadrës italiane Sassuolo me një marrëveshje të përhershme.”
“27-vjeçari e kaloi sezonin 2025/26 në huazim te klubi i Serie A, duke bërë gjithsej 32 paraqitje, ndërsa Sassuolo ka vendosur të ushtrojë opsionin për ta bërë transferimin të përhershëm për një shumë të pazbuluar.”
“Arijanet largohet pasi ka bërë 19 paraqitje gjatë periudhës së tij te Town, ku u transferua nga Burnley në verën e vitit 2024. Klubi i uron atij suksese në të ardhmen.”
Muric largohet nga Ipswich Town pas dy vitesh, ndërsa tani do të synojë të vazhdojë paraqitjet e mira në elitën e futbollit italian dhe të mbetet një nga shtyllat kryesore të Kombëtares së Kosovës.

