Netanyahu urdhëron sulme në Bejrut, përshkallëzohet konflikti me Hezbollahun

Nga D. V.
689 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bejrut, 01 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka urdhëruar sot sulme ndaj periferive jugore të kryeqytetit libanez, Bejrut, ndërsa konflikti me grupin e armatosur Hezbollah, i mbështetur nga Irani, vazhdon të përshkallëzohet, raportoi BBC.

Netanyahu deklaroi se do të goditen “objektivat terroriste” në zonën e Dahieh, një bastion tradicional i Hezbollahut, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të kryera ndaj civilëve izraelitë dhe shkeljeve të tjera të armëpushimit, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shpallur në prill, por që nuk ka arritur t’i japë fund luftimeve.

Një zyrtar i lartë i qeverisë libaneze, tha se Bejruti po mbështetet te përpjekjet ndërmjetësuese të SHBA-së, për të ushtruar presion ndaj Izraelit, që të ndalë shkeljet dhe të shmangë viktima të tjera civile.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio zhvilloi dje një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe presidentin libanez, Joseph Aoun.

Sipas një zyrtari amerikan, Rubio propozoi si hap të parë, ushtrimin e presionit mbi Hezbollahun nga autoritetet libaneze, për të ndalur sulmet ndaj Izraelit, ndërsa në këmbim Izraeli, do të duhet të shmangë përshkallëzimin e operacioneve ushtarake, në Bejrut.

Sipas burimit, një qasje e tillë do të krijonte hapësirë për një ulje graduale të tensioneve dhe një ndërprerje efektive të luftimeve.

Zhvillimet vijnë pasi trupat izraelite, të vendosura në jug të Libanit, kaluan lumin Litani dhe morën kontrollin e Kalasë së Beaufort-it, një fortesë rreth 900-vjeçare, e vendosur në një kreshtë me rëndësi strategjike.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz deklaroi se operacioni ushtarak nuk ka përfunduar dhe se Izraeli mbetet i vendosur të shkatërrojë kapacitetet ushtarake të Hezbollahut.

Nga ana tjetër, kryeministri libanez Nawaf Salam akuzoi Izraelin se po ndjek një strategji shkatërrimit të gjerë dhe ndëshkimit kolektiv.

Libani u përfshi në luftën mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit më 2 mars, kur Hezbollahu lëshoi raketa drejt Izraelit, në kundërpërgjigje ndaj një sulmi izraelit që, sipas raportimeve, vrau udhëheqësin suprem të Iranit.

Izraeli reagoi me një fushatë ajrore në të gjithë Libanin dhe më pas nisi një ofensivë tokësore.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, të paktën 3 371 persona janë vrarë në vend që nga fillimi i konfliktit, megjithëse bilanci nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.

Ndërkohë, Izraeli ka raportuar se gjatë së njëjtës periudhë, janë vrarë 24 ushtarë izraelitë dhe katër civilë në të dy anët e kufirit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër