Berlin, 02 qershor, Zhurnal.mk – Gjermania po e sheh me shqetësim të madh përshkallëzimin e fundit, të armiqësive mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, tha sot kancelari Friedrich Merz.
Merz i bëri thirrje Hezbollahut, të ndalojë menjëherë sulmet ndaj popullit të Izraelit dhe të dorëzojë armët, ndërsa kërkoi që Izraeli të respektojë armëpushimin, e rënë dakord në muajin prill.
“Ne inkurajojmë Izraelin dhe Libanin që të vazhdojnë në rrugën e bisedimeve të drejtpërdrejta që kanë zgjedhur”, tha Merz, duke iu referuar negociatave mes zyrtarëve izraelitë dhe libanezë të nisura më herët këtë vit – të parat ndër dekada, mes dy vendeve që zyrtarisht janë në gjendje lufte.
Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, nuk është pjesë e këtyre bisedimeve.
Përplasjet e vazhdueshme mes Izraelit dhe grupit të mbështetur nga Irani, Hezbollahut, mbeten një pikë kyçe tensioni, në negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit, për t’i dhënë fund luftës në Iran.
Përveç kërkesave për lirimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit dhe kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit, Teherani ka kërkuar një armëpushim të përhershëm në Liban, si pjesë e çdo marrëveshjeje.
Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi dje në mbrëmje, ndalimin e sulmeve të ndërsjella mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Ai deklaroi në rrjete sociale se nuk do të ketë më trupa izraelite që “shkojnë drejt Bejrutit” dhe se çdo njësi që ishte në lëvizje është tërhequr.
Megjithatë, ushtria izraelite ka avancuar në brendësi të Libanit, në javët e fundit.
Pavarësisht njoftimit të Trump, sulmet e ndërsjella midis Izraelit dhe Hezbollahut vazhduan edhe mbrëmë.
