Costa lavdëroi agjendën reformuese, por kujtoi kushtin për ndryshimet kushtetuese

Nga Xh M
802 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 qershor Zhurnal.mk – Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, deklaroi se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një objektiv i përbashkët strategjik dhe se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në familjen evropiane.

Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Hristijan Mickoski, Costa përshëndeti përpjekjet e Qeverisë në zbatimin e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, reformës së administratës publike dhe harmonizimit me politikat evropiane.

“Qeveria juaj ka treguar përkushtim. E përshëndes përparimin në agjendën reformuese dhe harmonizimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian. Kjo dërgon një sinjal të fortë për orientimin strategjik të Maqedonisë së Veriut dhe për vlerat që ndajmë së bashku”, deklaroi Costa.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të vendit, por nënvizoi se miratimi i ndryshimeve kushtetuese të dakorduara mbetet një parakusht kyç për përparimin e mëtejshëm në procesin e anëtarësimit.

“Ky është i vetmi rrugëtim për të zhbllokuar të gjitha përfitimet e anëtarësimit për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Përparimi drejt integrimit evropian kërkon dialog konstruktiv me fqinjët dhe hapa për ndërtimin e besimit”, tha Costa.

Kryeministri Mickoski përsëriti se shteti mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj integrimit evropian, por theksoi se procesi duhet të jetë i besueshëm, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita.

“Nuk kërkojmë privilegje dhe as rregulla të lehtësuara. Kërkojmë parime dhe një proces në të cilin reformat, puna dhe obligimet e përmbushura do të vlerësohen realisht”, theksoi Mickoski.

Ai nënvizoi se Qeveria vazhdon me reformat, stabilizimin ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja dhe përmirësimin e shërbimeve publike, por shtoi se tek qytetarët ekziston një ndjenjë zhgënjimi dhe pasigurie për shkak të lëshimeve dhe vonesave shumëvjeçare në procesin eurointegrues.

Gjatë takimit është biseduar edhe për integrimin ekonomik të rajonit, lidhjet infrastrukturore, sigurinë energjetike, investimet e reja dhe krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë.

Vizita e Costës është pjesë e turneut të tij rajonal në vendet e Ballkanit Perëndimor, në prag të Samitit EU–Western Balkans Summit, i cili do të mbahet më 5 qershor në Tivat.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër