A mund të kenë ndryshimet klimatike edhe disa efekte pozitive?

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 nëntor Zhurnal.mk – Edhe pse për ndryshimet klimatike zakonisht flitet në kontekst negativ, ato megjithatë mund të sjellin edhe disa efekte pozitive.

Nga Qendra për Ndryshime Klimatike në Shkup shpjegojnë se ndryshimet klimatike mund të sjellin përfitime të caktuara edhe në vendin tonë. Këtu përmenden dimrat më të butë, të cilët mund të ulin nevojën për ngrohje, ndërsa periudha më e gjatë me temperatura të përshtatshme për rritjen e bimëve mund t’u ofrojë disa fermerëve më shumë fleksibilitet në zgjedhjen e varieteteve dhe afateve të mbjelljes. Megjithatë, siç theksojnë ata, këto mundësi varen nga vendndodhja, stina dhe shkalla e ngrohjes globale. Nga ana tjetër, Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) parashikon kryesisht pasoja negative për pjesët jugore të Evropës, përfshirë mungesën e ujit, humbjet në bujqësi dhe rritjen e nevojës për ftohje.

“Sezoni më i gjatë i vegjetacionit mund të krijojë mundësi për kultivimin e disa kulturave bujqësore, por kjo nuk garanton vetvetiu rendimente më të larta. Sipas Raportit të Katërt Kombëtar për Ndryshimet Klimatike, gjatë periudhës 1991–2020, sezoni i vegjetacionit në Gjevgjeli ishte 16 ditë më i gjatë, ndërsa në Berovë katër ditë më i shkurtër, krahasuar me periudhën referente. Projeksionet në të njëjtin raport tregojnë se sezoni mund të zgjatet në një pjesë të madhe të vendit, me dallime ndërmjet rajoneve dhe skenarëve klimatikë. Ky tregues bazohet në temperaturën e ajrit: ai nuk tregon nëse gjatë këtyre ditëve shtesë do të ketë ujë të mjaftueshëm për rritjen e bimëve, apo nëse kulturat bujqësore do të ekspozohen ndaj temperaturave ekstreme”, thonë nga Qendra për Ndryshime Klimatike në Shkup.

Siç theksojnë ata, vreshtaria është një shembull konkret që dëshmon këtë dallim. Hulumtues nga Fakulteti i Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup kanë analizuar varietetin e rrushit Vranec në tetë lokacione në rajonet e vreshtarisë së Tikveshit dhe Velesit, gjatë sezonit të vitit 2024.

“Sipas rezultateve të paraqitura në një poster konferencash, rendimenti i llogaritur teorikisht ishte më i ulët për 6,4 për qind në vreshtat me ujitje dhe 14,8 për qind në ato pa ujitje, krahasuar me vlerat referente shumëvjeçare për këtë varietet. Ky konstatim i referohet vetëm një sezoni dhe nuk mund të përgjithësohet për të gjithë sektorin e vreshtarisë. Megjithatë, ai tregon se si temperaturat ekstreme dhe mungesa e ujit mund ta kufizojnë rendimentin edhe te një varietet i përshtatur me verat e nxehta”, shtojnë nga Qendra për Ndryshime Klimatike.

Ata theksojnë se nevoja më e vogël për ngrohje gjatë dimrit duhet të shqyrtohet së bashku me nevojën më të madhe për ftohje gjatë verës.

“Sipas modelimit të publikuar nga Banka Botërore, në pjesët qendrore të Shkupit numri i netëve gjatë të cilave temperatura mbetet mbi 25 gradë Celsius mund të rritet nga 16 në 31 netë në vit deri në vitin 2050, sipas skenarit klimatik të shqyrtuar. Në të njëjtin skenar, treguesi modelues për nevojën potenciale për ftohje rritet për rreth 52 për qind. Kjo nuk është parashikim se faturat apo konsumi i energjisë elektrike do të rriten me të njëjtën përqindje. Ky tregues dëshmon se sa do të rritet nevoja për ftohje si pasojë e temperaturave më të larta. Për familjet që nuk kanë kushte të përshtatshme për ftohje, kjo mund të nënkuptojë më shumë net të kaluara në ambiente të mbinxehura dhe rrezik më të madh për shëndetin”, shpjegojnë nga Qendra për Ndryshime Klimatike në Shkup.

Në nivel shtetëror, shtojnë ata, përfitimet e mundshme në sektorë të caktuar duhet të shihen në kontekstin e rreziqeve më të gjera. Sipas raportit të Bankës Botërore për Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimin, pa investime në përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike, dëmet e pritshme ekonomike në vitin 2050 vlerësohen në rreth 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Raporti e paraqet këtë shifër si vlerësim minimal. Ajo i referohet dëmeve vetëm gjatë vitit 2050 dhe jo shumës së përgjithshme të dëmeve deri në atë vit.

“Për Qendrën për Ndryshime Klimatike, çështja praktike është se si t’i shfrytëzojmë mundësitë aty ku ekzistojnë, ndërkohë që njëkohësisht t’i zvogëlojmë humbjet. Në bujqësi, kjo nënkupton që zgjedhja e kulturave bujqësore dhe afateve të mbjelljes të përshtatet me kushtet lokale, veçanërisht me disponueshmërinë e ujit dhe rrezikun nga thatësirat. Në qytete, më shumë hije dhe gjelbërim, si dhe ndërtesat me izolim më të mirë, mund të ndihmojnë në uljen e ekspozimit ndaj temperaturave të larta. Dimri më i butë ose sezoni më i gjatë i vegjetacionit mund të përbëjnë përparësi në kushte të caktuara. Për vendin në tërësi, prioritet mbetet ulja e emetimeve dhe mbrojtja me kohë e njerëzve, burimeve ujore dhe prodhimit të ushqimit”, deklarojnë nga Qendra për Ndryshime Klimatike në Shkup.

Ndryshe, vitet e fundit në media raportohen vazhdimisht dëmet që shkaktojnë ndryshimet klimatike në mbarë botën. Ato paraqesin kërcënim për prodhimin e kafesë në Brazil, të kakaos në Afrikë, për plantacionet e ullinjve në Spanjë dhe për shumë sektorë të tjerë bujqësorë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër