Peleshi në Lituani përmbyll turin balltik: Mbështetje për integrimin europian dhe samitin e NATO-s 2027

Nga D. V.
647 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 04 qershor, Zhurnal.mk – Në përmbyllje të turit të diplomacisë parlamentare në vendet balltike, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi vizitën e tij zyrtare në Lituani, ku mori mbështetjen e mëtejshme për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë takimeve me kryetarin e Parlamentit të Lituanisë (Seimas), Juozas Olekas, dhe kryeministren Inga Ruginienė, në fokus të diskutimeve ishin mbështetja për avancimin e negociatave të anëtarësimit, siguria europiane, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s dhe forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, në fusha si mbrojtja kibernetike, turizmi etj.

Në takimin me kryetarin e Parlamentit lituanez, Juozas Olekas, Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Lituanisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.

Ai nënvizoi angazhimin e Shqipërisë për sigurinë dhe paqen në rajon dhe më gjerë, si dhe kontributin konkret në kuadër të NATO-s, përfshirë praninë e trupave shqiptare në vendet baltike.

Peleshi vuri në dukje qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës dhe forcimit të sigurisë euroatlantike.

Nga ana e tij, Olekas theksoi se zgjerimi i Bashkimit Europian, siguria dhe konkurrueshmëria do të jenë ndër prioritetet kryesore të Presidencës lituaneze të BE-së gjatë periudhës janar-qershor 2027.

Ai riafirmoi mbështetjen e plotë të Lituanisë për Shqipërinë, duke vlerësuar progresin e saj të shpejtë në procesin e anëtarësimit mbi bazën e meritës dhe rezultateve konkrete.

Kryetari i Seimas-it vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën, kontributin e saj për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, si dhe mbështetjen e Lituanisë për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë në vitin 2027.

Gjatë takimit me kryeministren Inga Ruginienė, Peleshi theksoi se, Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të integrimit europian, pas zhvillimeve pozitive të shënuara në Konferencën Ndërqeveritare Shqipëri-BE të 26 majit.

Ai shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të Lituanisë dhe për vizionin e saj të qartë në favor të zgjerimit të Bashkimit Europian.

Kryeministrja Ruginienė vlerësoi progresin e dukshëm të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe ritheksoi se zgjerimi do të jetë një nga prioritetet kryesore të Presidencës lituaneze të Bashkimit Europian.

Ajo theksoi se zgjerimi lidhet ngushtë me sigurinë, unitetin, forcën dhe prosperitetin e Europës, ndërsa siguria dhe mbrojtja mbeten fusha prioritare për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në Vilnius, Peleshi u takua gjithashtu me anëtarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë me Ballkanin Perëndimor, ku u diskutua mbi avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe Seimas-it të Lituanisë, si dhe mbi perspektivën europiane të vendeve të rajonit. U vlerësua se integrimi i Ballkanit Perëndimor përbën një vlerë të shtuar për Bashkimin Europian dhe një investim strategjik për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit.

Vizita në Vilnius konfirmoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Lituanisë, si dhe vullnetin e përbashkët për të forcuar më tej bashkëpunimin politik, parlamentar dhe ekonomik në mbështetje të objektivave të përbashkëta europiane.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër