Meksiko Siti, 05 qershor, Zhurnal.mk – Gjermania dhe Meksika janë pajtuar të forcojnë bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, gjatë bisedimeve të para të komisionit të përbashkët dypalësh, pas shtatë vitesh.
Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul dhe homologu i tij meksikan, Roberto Velasco bashkëkryesuan takimin e Komisionit të Përbashkët Gjermani–Meksikë në Meksiko Siti, ku morën pjesë përfaqësues nga disa ministri qeveritare.
Wadephul deklaroi se lufta kundër krimit të organizuar, duhet të jetë prioritet kryesor në bashkëpunimin dypalësh, duke përmendur shqetësimet në rritje, në Gjermani dhe Evropë për rritjen e konsumit të drogës, dhe operacionet transnacionale të rrjeteve të trafikut të narkotikëve.
Ai theksoi se grupet kriminale po veprojnë në mënyrë efektive në nivel ndërkontinental, duke mundësuar dërgimin e sasive të mëdha të drogës drejt tregjeve evropiane, dhe se të dy vendet po shqyrtojnë mënyra, për të përmirësuar bashkëpunimin kundër këtyre rrjeteve.
Takimi trajtoi gjithashtu marrëdhëniet ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm, menaxhimin e ujit dhe tranzicionin energjetik.
Velasco i përshkroi marrëdhëniet mes Meksikës dhe Gjermanisë, si ndër më të fortat dhe më të larmishmet mes Evropës dhe Amerikës Latine.
Meksika, me rreth 130 milionë banorë, është ekonomia e dytë më e madhe në Amerikën Latine dhe një qendër e rëndësishme prodhimi, për shkak të afërsisë me SHBA-në dhe pjesëmarrjes në marrëveshjen tregtare të Amerikës së Veriut me SHBA-në dhe Kanadanë.
Më shumë se 2,000 kompani me kapital gjerman operojnë në Meksikë. Vendi është partneri më i madh tregtar i Gjermanisë në Amerikën Latine.
Prodhuesit gjermanë të makinave, pjesëve të automjeteve, kompanitë farmaceutike, kimike dhe logjistike kanë një prani të gjatë në vend.
