Los Angeles, 28 nëntor Zhurnal.mk – Një tërmet me magnitudë 5 ballë të shkallës Rihter ka goditur brigjet e Kalifornisë Jugore, duke shkaktuar panik dhe dëme materiale në zonën e Los Angelesit.
Lëkundjet sizmike u regjistruan të shtunën në orën 09:30 sipas kohës lokale, me epiqendër rreth 6 kilometra në perëndim-jugperëndim të Manhattan Beach dhe në një thellësi prej afro 12 kilometrash, sipas të dhënave paraprake të Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS).
Tërmeti u ndje në disa zona të Kalifornisë Jugore. Në Santa Monica, qytetarët u panë duke dalë me nxitim nga dyqanet, ndërsa lëkundjet shkaktuan dëme edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Angelesit (LAX).
Sipas raportimeve, në një prej terminaleve të aeroportit janë thyer xhama, ndërsa pjesë të tavanit të varur janë shkëputur dhe kanë rënë në ambientet e brendshme.
Zëdhënësja e Departamentit të Zjarrfikësve të Los Angelesit, Lindsay Lange, bëri me dije se deri në momentet e para pas tërmetit nuk kishte raportime për persona të lënduar.
Ndërkohë, Qendra Kombëtare e Paralajmërimit për Cunami në SHBA konfirmoi se tërmeti nuk paraqiste rrezik për krijimin e një cunami.
