Jordanov: Maqedonia po e paguan ngecjen në rrugën drejt BE-së me të ardhmen e saj

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 nëntor Zhurnal.mk – Rritja ekonomike si koncept nuk mjafton për t’i mbajtur të rinjtë në vend, nëse ata nuk e ndiejnë atë në jetën e tyre të përditshme, ndërsa bllokadat politike nuk duhet të shërbejnë si arsyetim për shtyrjen e reformave. Maqedonia duhet të zhvillohet sot, e jo të presë deri nesër për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

Raporti më i ri i Komisionit Evropian për Maqedoninë, i publikuar më 4 nëntor 2026, është shumë më tepër se një vlerësim i rregullt vjetor. Ai është një paralajmërim serioz për një shtet që gradualisht po e humb burimin e tij më të çmuar – të rinjtë.

Prej vitesh, debati politik është përqendruar te ndryshimet kushtetuese, kontestet dypalëshe dhe hapja e klasterëve negociues. Ndërkohë, të rinjtë po largohen jo vetëm për shkak të pagave më të larta në vendet me ekonomi më të zhvilluar, por edhe për shkak të mungesës së besimit në institucione, partizimit, korrupsionit dhe ndjenjës se suksesi më shpesh varet nga njohjet sesa nga dija dhe puna.

Të njëjtat probleme i evidenton edhe Komisioni Evropian. Mesazhi i tij duhet të arrijë në dy adresa: te autoritetet maqedonase, të cilat duhet t’i përshpejtojnë reformat, dhe në Bruksel, i cili duhet të rishqyrtojë nëse kushtëzimet e vazhdueshme politike po kontribuojnë në evropianizimin e vendit.

### **Ekonomia rritet, por besimi bie**

Ekonomia maqedonase në vitin 2025 shënoi rritje prej 3,5 për qind, dukshëm mbi mesataren e BE-së, e cila ishte rreth 1,5 për qind. Gjermania shënoi rritje prej vetëm 0,2 për qind, ndërsa Italia dhe Hungaria rreth 0,5 për qind. Por, rritja në vetvete nuk garanton jetë më të mirë, veçanërisht kur baza fillestare ekonomike është shumë më e ulët.

Shqetësuese është edhe fakti se janë realizuar vetëm 64,6 për qind e planit të rishikuar për shpenzimet kapitale. Kjo mund të nënkuptojë më pak investime në shkolla, spitale, rrugë dhe infrastrukturë, pikërisht në fushat që ndikojnë në cilësinë e jetës dhe në vendimin e të rinjve për të qëndruar apo për t’u larguar.

### **Papunësia si kërcënim demografik**

Papunësia te të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç në vitin 2025 ishte 29,4 për qind, krahasuar me rreth 15,2 për qind në BE. Megjithatë, ky nuk është problem ekskluzivisht maqedonas: Rumania shënon 26,1 për qind, Spanja 24,9 për qind, Suedia 24,3 për qind, ndërsa Italia 20,6 për qind.

Maqedonia ka një problem serioz strukturor, por krahasimi tregon se as anëtarësimi në BE nuk i zgjidh automatikisht sfidat ekonomike. Dallimi qëndron në faktin se të rinjtë në vendet anëtare kanë qasje në tregun e përbashkët evropian të punës, ndërsa të rinjtë maqedonas përballen me pengesa shtesë.

Për një shtet me rreth 1,8 milion banorë, çdo i ri që largohet përgjithmonë përfaqëson humbje të mundshme të dijes, fuqisë punëtore, të ardhurave tatimore dhe potencialit demografik, pasojat e të cilave do të ndihen për dekada.

### **Korrupsioni nuk përfundon në kufijtë e BE-së**

Komisioni konstaton se nuk ka përparim në luftën kundër korrupsionit. Lëndët e profilit të lartë zvarriten, disa prej tyre parashkruhen, ndërsa pavarësia e institucioneve vazhdon të mbetet sfidë.

Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të organizatës “Transparency International” për vitin 2025, Maqedonia ka 40 pikë, njësoj si Bullgaria dhe Hungaria, ndërsa Rumania ka 45 dhe Kroacia 47 pikë. Sipas organizatës “Reporterët pa Kufij”, në vitin 2026 Maqedonia renditet në vendin e 45-të për lirinë e mediave, përpara Hungarisë (vendi i 74-të) dhe Greqisë (vendi i 86-të).

Kjo nuk i arsyeton mangësitë tona, por hap pyetjen nëse Maqedonia do të mund t’i vazhdojë negociatat nën një monitorim më të rreptë.

Në fakt, pikërisht kjo është thelbi i metodologjisë së rishikuar të zgjerimit dhe parimit “Së pari themelet” (Fundamentals First). Klasteri 1 – “Themelet”, i cili përfshin sundimin e ligjit, institucionet demokratike, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike, hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Përparimi në këto fusha përcakton ritmin e përgjithshëm të negociatave.

Prandaj, BE-ja tashmë disponon mekanizma për monitorimin, kushtëzimin dhe ngadalësimin e negociatave në rast se reformat ngecin.

### **Ndryshimet kushtetuese dhe perspektiva evropiane**

Komisioni Evropian konfirmon se raportet e skriningut për të gjashtë klasterët negociues i janë dorëzuar Këshillit të BE-së. Megjithatë, ndryshimet kushtetuese të parapara me konkluzionet e vitit 2022 ende nuk janë përmbushur, ndërsa vazhdon edhe përgatitja e kritereve të mbetura për hapjen e klasterit “Themelet”.

Historia evropiane tregon se ekzistojnë qasje të ndryshme diplomatike ndaj çështjeve dypalëshe të pazgjidhura. Qiproja u anëtarësua në vitin 2004, pavarësisht ndarjes së ishullit, ndërsa Sllovenia dhe Kroacia një pjesë të çështjeve kufitare i zgjidhën përmes mekanizmave shtesë diplomatikë dhe juridikë.

Edhe pse rastet nuk janë identike, ato hapin hapësirë për shqyrtimin e një afati tjetër kohor për detyrimet kushtetuese, me garanci përkatëse dhe me pëlqimin e vendeve anëtare.

Hapja e klasterëve nuk nënkupton anëtarësim automatik, por harmonizim sistematik me legjislacionin evropian, përmbushje të kritereve negociuese dhe verifikim të vazhdueshëm të rezultateve. Me vullnet politik dhe përmbushjen e detyrimeve reformuese, Maqedonia do të mund të përparonte dukshëm më shpejt në disa kapituj negociues njëkohësisht.

### **Maqedonia tashmë dëshmon se është partnere e besueshme evropiane**

Raporti evidenton edhe rezultate pozitive. Maqedonia ka harmonizim të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, përfshirë edhe sanksionet për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës, në një kohë kur edhe vetë Bashkimi përballet me mospajtime të brendshme.

Komisioni evidenton përparim të mirë edhe në transformimin digjital, shkencë dhe kërkim shkencor, gjë që dëshmon se Maqedonia ka kapacitet për harmonizim të suksesshëm me standardet evropiane.

Por, ngecja në rrugën evropiane nuk duhet të shërbejë si arsyetim për pasivitetin e brendshëm. Nuk na nevojitet anëtarësimi në BE për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur, administratë profesionale, shkolla dhe spitale më të mira, e as për të krijuar kushte për kthimin e të rinjve dhe tërheqjen e investimeve nga diaspora.

Përparimi konkret në reforma është argumenti më i fuqishëm me të cilin Maqedonia mund t’i bindë partnerët evropianë se çështjet dypalëshe nuk duhet ta bllokojnë pafundësisht procesin e anëtarësimit.

Përfituesit më të mëdhenj nga trendi aktual demografik janë pikërisht shtetet ku të rinjtë tanë largohen në kërkim të një jete më të mirë. Ato përfitojnë njerëz të arsimuar, të aftë dhe ambiciozë, ndërsa Maqedonia humb potencialin njerëzor në të cilin ka investuar për dekada.

Prandaj, pyetja e vërtetë nuk është vetëm se kur Maqedonia do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, por sa të rinj maqedonas do të mbeten në atdheun e tyre për ta pritur atë ditë.

*(Autori është drejtor i Diasporës së Bashkuar Maqedonase për Maqedoninë dhe Evropën.)*

*(Redaksia distancohet nga qëndrimet e autorëve të shprehura në kolumne.)*

https://www.vecer.press/kolumna-gordan-jordanov-makedonija-go-plaka-zastojot-vo-eu-so-svojata-idnina/

artikuj të ndërlidhura