Editorial / Kontrabanda ilegale nën alarm, të shtohen masa më të rrepta nga Qeveria dhe Dogana

Nga R.ZH
1,824 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 qershor, Zhurnal.mk – Ajo që më së shumti e shkatërron dhe dëmton ekonominë e Maqedonisë së Veriut është pamundësia për të ndaluar ekonominë ilegale, e cila është rreziku kryesor për dështimin e ekonomisë së pastër. Dogana njoftoi se ka kapur dhe ka konfiksuar disa cigare puro, të cilat në mënyrë ilegale ishin tentuar të futeshin në tregun e Maqedonisë së Veriut. Nevojitet që dogana të përforcojë kontrollet, sepse në opinion flitet se ka shumë cigare puro që po importohen dhe shiten në të zezë. Pyetja që shtrohet është se sa cigare të tilla janë futur deri tani ilegalisht dhe sa kjo mënyrë e biznesit ilegal i dëmton bizneset e regjistruara që paguajnë taksa, shkruan “Zhurnal.mk”.

Dogana konfiskon sasi të mëdha të purove ilegale

Një sasi e madhe purosh me vlerë rreth katër mijë euro është konfiskuar nga ekipi mobil doganor i Departamentit për Operacione, pas kontrollit të një autobusi në hyrje të shtetit në pikën kufitare Tabanoc. Kundër personit K.B., shtetas i Maqedonisë së Veriut, është paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Kumanovës për veprën penale kontrabandim, e dënueshme sipas Kodit Penal. I dyshuari është shofer i autobusit dhe i punësuar në një kompani që merret me transport ndërkombëtar të udhëtarëve.

Në rastin konkret, ekipi mobil doganor, për shkak të dyshimeve të bazuara, e ndaloi autobusin për kontroll të detajuar, gjatë të cilit nën ulëse dhe në një hapësirë të fshehur fabrike u gjetën gjithsej 312 puro nga prodhues të ndryshëm. Vlerësimi i detyrimeve të shmangura doganore dhe fiskale arrin në 174.900 denarë. Produktet e akcizës që ishin objekt i tentativës për kontrabandë janë konfiskuar dhe, me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike të Kumanovës, do t’i dorëzohen Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, shkruan “Zhurnal.mk”.

Maqedonia e Veriut është ndër vendet në Evropë me normat më të larta të ekonomisë gri

Ekonomia gri (e njohur edhe si ekonomi informale) paraqet aktivitetet ekonomike të ligjshme që nuk regjistrohen, tatohen ose monitorohen zyrtarisht nga qeveria. Ajo shërben si urë lidhëse midis ekonomisë plotësisht të ligjshme ‘të bardhë’ dhe ekonomisë së paligjshme ‘të zezë’.

Sipas analizave, Maqedonia e Veriut është ndër vendet në Evropë me normat më të larta të ekonomisë informale, duke i kushtuar thesarit të shtetit gati 700 milionë euro çdo vit në taksa të papaguara. Mbi 80,000 punëtorë punojnë në sektorin informal, kryesisht në bujqësi, ndërtim dhe tregti.

Vlerësimet e ekonomisë gri në Maqedoninë e Veriut ndryshojnë dhe variojnë nga 21.3% në 39.5% të PBB-së. Ekonomia informale është një fenomen kompleks dhe përfshin aktivitete që janë të vështira për t’u matur.

Sipas analizave të Institutit Finance Think, problemi është se nuk është mjaftueshëm e qartë se nga çfarë përbëhet e gjithë ekonomia në hije e Maqedonisë së Veriut.

Vlerësimet janë se të ardhurat e pambledhura shtetërore nga ekonomia totale informale janë rreth 700 milionë euro.

Kryesisht segmenti ifnormal zhvillohet nga puna e padeklaruar, nga ndërmarrjet e paregjistruara, dhe segmenti i tretë është mos-raportimi i xhiros, kryesisht për të shmangur pagesën e detyrimeve të TVSH-së, shkruan “Zhurnal.mk”

Qeveria dhe doganat ta çrrënjosin ekonominë informale

Në Maqedoninë e Veriut, përpjekjet e Qeverisë për të adresuar ekonominë informale bëhen përmes strategjive të shumta, duke përfshirë Strategjinë për Formalizimin e Ekonomisë Informale 2023-2027 dhe Planin Strategjik të Zyrës së të Ardhurave Publike 2023-2025.

Ndër masat e qeverisë për të shtypur ekonominë informale mund të jetë ndihma financiare për kompanitë e vogla, piktorët, mekanikët e automjeteve dhe ofruesit e shërbimeve të ngjashme për të inkurajuar formalizimin e tyre.

Ekonomia informale ka pasojat për buxhetin dhe shtetin, sepse mospagimi i taksave dhe tatimeve zvogëlon fondet në dispozicion për shërbimet publike si shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura.

Ka pasojat për bizneset sepse krijohet konkurrencë e pandershme. Në këtë formë bizneset që operojnë në të zezë mund të ofrojnë çmime më të ulëta pasi nuk paguajnë taksa apo sigurime, duke penalizuar bizneset e ndershme formale.

Nevojiten masat e rrepta për “pagesat ilegale”, kontrolle për mos pagesën e tatimeve si dhe mekanizma për funksionimin pa firma të regjistruara.

Gjithashtu edhe drejtoria e doganave duhet të vazhdojë me kontrolle të intensifikuara me qëllim parandalimin e tregtisë së paligjshme me produkte akcize, mbrojtjen e interesave financiare të shtetit, mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe krijimin e kushteve për një ekonomi të drejtë dhe konkurruese, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër