BE kërkon rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit pas marrëveshjes SHBA-Iran

Nga D. V.
750 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 15 qershor, Zhurnal.mk – Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian kanë mirëpritur sot marrëveshjen e shpallur mes SHBA-së dhe Iranit, për t’i dhënë fund konfliktit dhe kanë bërë thirrje për zbatimin e saj të shpejtë.

“Kjo marrëveshje duhet të mundësojë rihapjen e menjëhershme, të Ngushticës së Hormuzit”, shkroi në platformën X, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Liria e lundrimit duhet të rikthehet pa tarifa. Kjo është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe ekonominë globale”, shtoi ajo.

Von der Leyen tha se mbyllja e kësaj rruge kyçe, për transportin e energjisë jep një mësim të qartë, duke theksuar se, edhe një herë, varësitë energjetike janë përdorur si armë.

“Ne duhet të diversifikojmë rrugët tona të furnizimit dhe të zhvillojmë korridore alternative eksporti për t’u larguar nga Ngushtica e Hormuzit”, tha ajo.

Von der Leyen shtoi gjithashtu se marrëveshja hap rrugën për një paqe më të gjerë, në Lindjen e Mesme, duke theksuar se nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme ndërsa Libani është në “flakë”.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas dhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, në postime të ndara në X, shprehën gatishmërinë e BE-së për të kontribuar në stabilizimin e rajonit pas përfundimit të armiqësive.

“Bashkimi Evropian është i gatshëm, të kontribuojë në avancimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për paqe të qëndrueshme në të gjithë Lindjen e Mesme”, shkroi Costa.

Ndërsa Kallas theksoi se BE-ja ka ndikim ekonomik, ekspertizë bërthamore dhe marrëdhënie të gjata me vendet e Gjirit, duke shtuar se është gati të kontribuojë në një zgjidhje të qëndrueshme.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump, negociatorët pakistanezë dhe zyrtarë iranianë njoftuan dje, se SHBA-ja dhe Irani kanë arritur një marrëveshje, për të hapur rrugën drejt përfundimit të luftës pas negociatave të gjata.

Detaje të plota të marrëveshjes ende nuk janë bërë publike, por Trump deklaroi në platformën e tij “Truth Social” se do të “autorizonte” hapjen pa tarifa të Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e menjëhershme të bllokadës detare amerikane.

Marrëveshja pritet të nënshkruhet të premten, sipas autoriteteve në Islamabad.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër