Zelensky i bën thirrje G7-ës të rrisë mbështetjen për Ukrainën, pas sulmeve masive ruse

Nga D. V.
1,233 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kiev, 15 qershor, Zhurnal.mk – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u bëri thirrje sot vendeve të G7-ës, të reagojnë me vendosmëri ndaj sulmeve të fundit ruse mbi Kievin dhe qytete të tjera ukrainase, duke kërkuar rritjen e presionit ndaj Moskës dhe forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

Sipas Zelensky, Rusia kreu gjatë natës një nga sulmet më të mëdha ajrore të muajve të fundit, duke përdorur 611 dronë dhe 70 raketa, përfshirë raketa balistike dhe kruz.

Nga sulmet humbën jetën të paktën nëntë persona, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën. Vetëm në Kiev u raportuan 28 të plagosur.

Presidenti ukrainas dënoi gjithashtu, dëmtimin e kompleksit historik të manastirit “Kyiv Pechersk Lavra”, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Ai e cilësoi zjarrin në kishën kryesore të kompleksit, si një nga “krimet më të mëdha ruse kundër kulturës së krishterë”.

Autoritetet ukrainase thanë se sulmi shkaktoi dëme të konsiderueshme në zonën e manastirit.

Sulme të rënda u raportuan edhe në rajone të tjera të Ukrainës. Në Kharkiv, pesë punonjës të shërbimeve të emergjencës u vranë gjatë sulmit, ndërsa po shuanin zjarrin e shkaktuar nga bombardimet.

Sulme u regjistruan gjithashtu në Dnipropetrovsk, Donetsk, Zaporizhia, Sumy dhe Mykolaiv.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmet ishin një përgjigje ndaj asaj që e quajti “akte terroriste të regjimit të Kievit” dhe pretendoi se objektivat ishin infrastruktura ushtarake dhe fabrikat e prodhimit të dronëve dhe raketave.

Moska pretendoi gjithashtu se zjarri në kishën kryesore të manastirit, ishte shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase, një pretendim që nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë, autoritetet ruse raportuan se tre persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën, nga sulmet me dronë ukrainas në rajonin e Tulës, ndërsa disa dronë u rrëzuan pranë Moskës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër