Rama në Berlin: Objektiv mbyllja e negociatave deri në 2027, integrimi nuk mund të kthehet në shtyrje pa fund

Nga D. V.
966 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama, mori pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor, një forum i rëndësishëm që bashkon përfaqësues të politikës, biznesit dhe diplomacisë për të diskutuar zhvillimet ekonomike, gjeopolitike dhe sfidat e së ardhmes në Europë.

Si i ftuar nderi në këtë konferencë, kryeministri Rama iu adresua pjesëmarrësve, mes të cilëve përfaqësues të sipërmarrjes gjermane, ekspertë të sigurisë, ekonomisë dhe inovacionit, si edhe zyrtarë të Bundestagut dhe Kancelarisë Federale.

Duke u ndalur tek integrimi, kreu i qeverisë theksoi se “pak muaj më parë, Këshilli Europian miratoi projektin më ambicioz të integrimit që nga koha e Jacques Delors: Një Europë, Një Treg. Një dokument shumë ambicioz. I domosdoshëm. Vizionar. Strategjik”, por që mungonte “Ballkani Perëndimor”.

“Një rajon tërësisht i rrethuar nga kufiri i Bashkimit Europian. Një rajon që ndodhet fizikisht në zemër të Europës. Një rajon që i mungon vizionit të Europës për vetveten”, tha Rama.

Sipas Ramës, “si një hapësirë bosh në qendër të telajos, si një Europë që vazhdon e pikturon një autoportret i cili, gjithnjë e më shumë, shëmbëllen me “Britmën” e Edvard Munch. Është veçanërisht e çuditshme, kur pikërisht ajo hapësirë shtrihet mbi një nga korridoret strategjike më të vjetra të Europës”.

Kreu i qeverisë nënvizoi se korridoret energjetike që i duhen Europës kalojnë përmes gjeografisë sonë.

“Rrjetet digjitale që Europa dëshiron kërkojnë territorin tonë. Mineralet kritike që Europa befas i ka rizbuluar si strategjike, gjenden nën tokën tonë. Kina e kupton këtë. Rusia sigurisht që e kupton. Edhe Europa e kupton, por ndonjëherë e harron kur shkruan planet e veta. Dhe, merreni me mend? Via Egnatia e përshkonte kontinentin pikërisht aty ku është sot Shqipëria”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë u ndal tek rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Rama theksoi se Shqipëria ka hapur të tridhjetë e tre kapitujt negociues më shpejt se çdo vend kandidat në historinë e zgjerimit.

Rama nënvizoi më tej se objektivi është i qartë, që të përmbyllen negociatat deri në vitin 2027 dhe vendi të bëhet anëtar i BE-së përpara fundit të kësaj dekade.

“Shqipëria ka hapur të tridhjetë e tre kapitujt negociues më shpejt se çdo vend kandidat në historinë e zgjerimit, po për të thënë të vërtetën siç është, jo sepse jemi më të mirët, po sepse nisëm shumë vonë dhe ishim të përgatitur. Ne po përparojmë me vendosmëri të zjarrtë. Objektivi ynë është i qartë. T’i përmbyllim negociatat deri në vitin 2027, diçka që e kemi diskutuar e për të cilën kemi rënë dakord me Komisionin Europian. Të bëhemi anëtarë të plotë të Bashkimit Europian përpara fundit të kësaj dekade. Më lejoni të jem po aq i qartë. Për Shqipërinë, anëtarësimi nuk ka të bëjë thjesht me hyrjen në një klub. Nuk ka të bëjë me marrjen e fondeve. Nuk ka të bëjë me marrjen e ornamenteve institucionale. Ka të bëjë me transformimin e shtetit tonë, institucioneve tona dhe mënyrës sonë të të menduarit dhe kryerjen e transformimit më të thellë demokratik në historinë tonë kombëtare, duke garantuar që, më në fund, njëherë në historinë tonë, jemi aty ku njerëzit duan të jenë, jo aty ku vendos historia të jemi”, theksoi Rama.

Rama tha se ka qenë një ndër zërat e parë nga rajoni që ka mbrojtu përfitimet e shumta të integrimit gradual, por sipas tij integrimi gradual nuk mund të kthehet në një shtyrje pa fund e as një tjetër paradhomë pritjeje.

Sepse, theksoi ai, nëse ribashkimi i Europës është vërtet një domosdoshmëri strategjike, atëherë Ballkani Perëndimor nuk mund të mbetet i zënë peng mes vlerësimeve objektive të Komisionit dhe anktheve subjektive të disa shteteve anëtare.

Sipas Ramës, kjo kontradiktë po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar.

“Zgjidhja nuk është as e ndërlikuar, as e kushtueshme. Na futni në arkitekturën strategjike të Europës tani. Na jepni vend në tryezë, para se të na jepni veto. Na jepni pjesëmarrje, para se të na jepni komisionerë. Na jepni përgjegjësi, para se të na jepni ornamente institucionale. Dhe më tej, hap pas hapi, na futni në Bashkimin Energjetik. Në Bashkimin Digjital. Në kornizat e përbashkëta të sigurisë. Në instrumentet e përbashkëta financiare. Në zinxhirët e përbashkët të furnizimit sepse Europa nuk mund të flasë seriozisht për autonomi strategjike, ndërkohë që mban një vakum strategjik në qendër të saj dhe të mbajë një plagë të hapur në skajin e vet lindor.

“Helmut Kohl, së paku me aq sa di, nuk pyeti nëse ribashkimi ishte administrativisht i përsosur dhe as u tha bashkëqytetarëve të vet në lindje: “E gëzofshi lirinë! Tani, merruni pak me këta 33 kapituj.” Ai bëri pyetjen që bën një udhëheqës, nëse vazhdimi i ndarjes mbetej strategjikisht i pranueshëm. Kjo është një pyetje thellësisht tjetër dhe ndoshta pyetja që Europa duhet t’i bëjë vetes sot. Historia rrallë ecën përpara ngaqë burokracia është gati. Historia ecën sepse udhëheqësit vendosin se ajo duhet të ecë përpara dhe Europa nuk mund t’ia lejojë vetes të humbasë kohë duke rihapur debatin e famshëm bizantin mbi seksin e engjëjve, ndërsa muret e Kostandinopojës tashmë dridhen nga stuhia që po afrohet jashtë”, tha Rama.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër