Tiranë, 17 qershor, Zhurnal.mk – Fermerët që kultivojnë kultura bujqësore do të kenë mundësi të përfitojnë mbështetje financiare përmes Skemës Kombëtare 2026, një instrument që synon të nxisë prodhimin bujqësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.
Sipas kushteve të përcaktuara, përfituesit do të mbështeten me 10 mijë lekë për hektar për sipërfaqe të mbjella me kultura bujqësore, për sipërfaqe jo më të vogla se 3 hektarë.
Skema parashikon gjithashtu mbështetje në masën 50% për sipërfaqet mbi 10 hektarë, ndërsa Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) do të përfitojnë financim në masën 100%, duke nxitur bashkëpunimin mes fermerëve dhe rritjen e eficiencës në prodhim.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se aplikimet në Skemën Kombëtare të mbështetjes janë të hapura deri më 26 qershor 2026.
Për të lehtësuar procesin e aplikimit, fermerët mund të marrin asistencë pranë Agropikave dhe zyrave rajonale të ekstensionit bujqësor, si dhe përmes numrit të gjelbër 0800 83 83 dhe adresës elektronike info@azhbr.gov.al.
Skema Kombëtare 2026 është tashmë një nga instrumentet kryesore të mbështetjes së bujqësisë, duke synuar rritjen e prodhimit vendas, përmirësimin e të ardhurave të fermerëve dhe forcimin e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor në vend.
