Tiranë, 29 nëntor Zhurnal.mk – Përplasja mes policisë dhe protestuesve janë regjistruar edhe sot në kryeqytetin shqiptar.
Këtë herë u plagos me plumb gome edhe një deputet i Partisë Demokratike.
Kreu i PD-së, Sali Berisha e kanë cilësuar këtë si një shpallje lufte, duke theksuar se duhet përgjegjësi.
“Deputeti i Partisë Demokratike Kliti Hoti qëllohet me urdhër politik për ta vra të Edi Ramës! Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë sulm kriminal me qëllim vrasjen e deputetit të Shkodrës Dr. Kliti Hoti dhe garanton padrinon Edi Rama se do të marrë përgjigjen e merituar! Demokratë e demokrate të gjithë në këmbë! O sot o kurrë!”, shkruan Berisha në rrjetet sociale.
Protesta e sotme fillimisht nisi qetë, krahasuar me trazirat e një dite më parë, por pas mesditës, situata u përshkallëzua përsëri, ku protestuesit para kryeministrisë nisën të qëllojnë me gurë në drejtim të policisë, duke nxitur reagimin e tyre.
Policia nxori autobotet me ujë në bulevard dhe ka ndërhyrë për të shpërndarë turmën, duke e zbrazur rrugët. Po ashtu është hedhur në disa drejtime gaz lotsjellës, ndërsa nuk është kursyer as spraji me piper si dhe plumbat e gomës.
Gjatë ndërhyrjeve, policia ka kryer edhe disa shoqërime.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar bilancin e të lënduarve gjatë protestës së 28 nëntorit, duke bërë me dije se në dy spitalet kryesore në Tiranë janë paraqitur për ndihmë mjekësore gjithsej 61 persona.
Mes të lënduarve janë efektivë policie, protestues, gazetarë, kalimtarë, punonjës sigurie dhe një deputet.
