Një protestues në terapi intensive pas goditjes në protestën e datës 28, mjeku: Ka traumë në kokë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 nëntor Zhurnal.mk – Briken Tuçi, i cili mbeti i lënduar gjatë protestës së 28 nëntorit, ndodhet në terapi intensive në Spitalin Universitar të Traumës, ku po mbahet nën monitorimin e vazhdueshëm të stafit mjekësor.

Në një deklaratë për mediat këtë të diel, një nga mjekët e Spitalit të Traumës bëri të ditur se pacienti ka pësuar traumë në kokë, por aktualisht nuk paraqet indikacion për ndërhyrje kirurgjikale.

Sipas mjekut, Briken Tuçi qëndron i përgjumur, por reagon ndaj stimulit verbal, si nga personeli mjekësor, ashtu edhe nga familjarët. Gjendja e tij neurologjike dhe parametrat jetësorë po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, mjeku sqaroi se pacienti ka pësuar kontuzion, por nuk ka hemorragji.

“Ka kontuzion, por jo hemorragji. Gjithsesi, statusi aktual është i monitoruar me rreptësi, i stabilizuar dhe me parametra totalisht konstantë”, u shpreh mjeku.

I pyetur nëse ekziston mundësia që pacienti të intubohet, mjeku tha se aktualisht janë shumë larg një skenari të tillë.

“Për momentin jemi shumë larg intubimit. Kaq mund të themi”, deklaroi ai.

artikuj të ndërlidhura