Mexhiti: Sheshi “Skënderbe” u shndërrua në skenë arti me shfaqjen “Gënjeshtra” të Teatrit të Gjilanit

Nga R.ZH
971 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka vlerësuar organizimin e shfaqjes teatrore “Gënjeshtra”, të realizuar nga Teatri i Gjilanit në sheshin “Skënderbe” në Shkup, duke theksuar rëndësinë e kulturës dhe artit në hapësirat publike.

Përmes një postimi, Mexhiti u shpreh se kur teatri del nga skena tradicionale dhe takon publikun në shesh, kultura merr jetë në mënyrën më të bukur.

Sipas tij, sheshi “Skënderbe” u shndërrua në një hapësirë arti, ku publiku pati mundësinë të ndjekë shfaqjen “Gënjeshtra”, me regji të Ekrem Sopit.

Në shfaqje interpretuan aktorët Gani Rrahmani, Qendresa Jashari, Alban Shahiqi dhe Safete Mustafa Baftiu, të cilët, sipas Mexhitit, i dhuruan publikut një mbrëmje të mbushur me humor, emocione dhe reflektim.

Kryetari i Çairit bëri të ditur se shfaqjen e ndoqi së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, duke e cilësuar këtë aktivitet si një dëshmi se arti ka fuqinë t’i bashkojë njerëzit dhe t’u japë jetë shesheve publike.

Ai theksoi se ngjarje të tilla kulturore forcojnë bashkëpunimin ndërmjet qyteteve dhe krijojnë hapësira ku qytetarët mund të përjetojnë artin në një atmosferë të hapur dhe gjithëpërfshirëse.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër