Shkup, 15 tetor, Zhurnal.mk – Personat me dëmtime të shikimit (të verbërit) në Tetovë vazhdojnë të përballen me vështirësi të mëdha gjatë lëvizjes së tyre të përditshme nëpër qytet, si pasojë e infrastrukturës tejet të dobët dhe mungesës së kushteve elementare. Jetmir Selmani nga Shoqata e të Verbërve ka ngritur alarmin për rreziqet me të cilat ballafaqohet kjo kategori e qytetarëve, duke vënë theksin te trotuaret e bllokuara nga veturat e parkuara në mënyrë të parregullt dhe mungesa e shtigjeve orientuese.
Për shkak të këtyre barrierave në hapësirat publike, personat e verbër janë të detyruar të lëvizin pothuajse gjithmonë të shoqëruar, duke humbur kështu lirinë dhe pavarësinë e tyre të qarkullimit.
Nga Shoqata e të Verbërve vjen një apel i hapur drejtuar institucioneve kompetente për ndërmarrjen e masave urgjente në përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Po ashtu, u bëhet thirrje edhe vetë qytetarëve për më shumë ndërgjegjësim dhe solidaritet, duke mos bllokuar trotuaret dhe duke u ofruar ndihmë personave me nevoja të veçanta sa herë që ata hasin në vështirësi gjatë rrugëtimit të tyre, raporton Tetova1.
Këto komente janë bërë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, ku edhe janë promovuar semaforë me sinjale zanore. Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, promovohen vënia në funksion tekatër semaforëve të rinj me sinjalizim zanor, të cilët u mundësojnë personave të verbër të kalojnë rrugën në mënyrë më të sigurt dhe më të pavarur.
“Ky projekt shënon një hap të ri drejt ndërtimit të një shoqërie të barabartë dhe pa dallime, ku çdo qytetar në qytetin tonë, sidomos në rrugë dhe në komunikacion, të ndihet i sigurt, i pavarur dhe të mund të lëvizë lirshëm. Semaforët janë vendosur në katër lokacione: pranë Gjykatës së Tetovës, te Shkolla e Mesme e Mjekësisë, në bulevardin “Bllagoja Toska”, pranë Spitalit të Tetovës dhe afër Xhamisë së Larme! Planifikohet që së shpejti vendosja e semaforëve me sinjalizim zanor të vazhdojë edhe në disa pika të tjera, ku qarkullimi në komunikacion është më i dendur” deklaroi Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, përcjell Tetova1.
Sipas Kasamit, për Komunën e Tetovës, qasja e barabartë në hapësirat publike nuk duhet të jetë privilegj, por një e drejtë themelore. “Këtë synojmë ta realizojmë përmes bashkëpunimit me Shoqatën e Personave të Verbër, qytetarët dhe të gjitha institucionet përkatëse. Synimi ynë, jo vetëm në këtë ditë, por çdo ditë, duhet të jetë krijimi i një mjedisi pa barriera, ku çdo qytetar, pavarësisht aftësive fizike apo shqisore, të ketë mundësi të barabarta për të jetuar, punuar dhe lëvizur në mënyrë të pavarur. Në fund, falënderoj Shoqatën e Personave të Verbër për bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të demonstruar në praktikë funksionimin e semaforëve me sinjalizim zanor” tha Kasami. /Tetova1/
