Evian, 18 qershor, Zhurnal.mk – Presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit kanë nënshkruar një marrëveshje paraprake paqeje, që synon t’i japë fund konfliktit mes dy vendeve, duke hyrë menjëherë në fuqi, raportoi BBC.
Dokumenti parashikon rihapjen e Ngushticës strategjike të Hormuzit, heqjen e të gjitha sanksioneve amerikane ndaj Iranit dhe një plan rindërtimi me vlerë 300 miliardë dollarë.
Megjithatë, çështja e programit bërthamor iranian, mbetet e hapur dhe do të negociohet gjatë një periudhe 60-ditore, me mundësi zgjatjeje.
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili firmosi marrëveshjen gjatë samitit të G7-tës, në Francë, tha se ajo do të shmangte një “katastrofë ekonomike globale”, por paralajmëroi se SHBA-ja do të rikthehej te veprimet ushtarake, nëse nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Nga ana tjetër, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian konfirmoi nënshkrimin e dokumentit, ndërsa kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se Teherani mbetet mosbesues ndaj Uashingtonit dhe është i gatshëm të reagojë nëse negociatat dështojnë.
Marrëveshja përfshin angazhimin e Iranit, për të mos ndërtuar armë bërthamore.
Uraniumi i pasuruar do të reduktohet nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), ndërsa kërkesa fillestare e SHBA-së për largimin e tij nga territori iranian është zbutur.
Dokumenti parashikon gjithashtu, që për 60 ditë, të mos ketë tarifa për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një korridor kyç për tregtinë globale të naftës dhe gazit.
Megjithatë, autoritetet iraniane kanë lënë të kuptohet se, mund të vendosin tarifa pas përfundimit të kësaj periudhe.
Pas njoftimit të marrëveshjes, çmimet e naftës shënuan rënie, ndërsa tregjet financiare reaguan pozitivisht ndaj perspektivës së uljes së tensioneve.
Plani i Trumpit ka shkaktuar polemika në Uashington.
Republikanë dhe demokratë e kanë kritikuar marrëveshjen, duke argumentuar se ajo nuk adreson mjaftueshëm programin raketor të Iranit dhe mbështetjen e Teheranit për grupet aleate në rajon, përfshirë Hezbollahun.
Trump, ndërkohë, ka hedhur poshtë pretendimet se SHBA-ja do t’i japë fonde Iranit, por pranoi se asetet iraniane të ngrira gjatë luftës mund të rikthehen në një fazë të mëvonshme.
