Moskë, 19 qershor, Zhurnal.mk – Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka hedhur poshtë idenë se Bashkimi Evropian, mund të luajë rolin e një partneri të përshtatshëm në negociatat, për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Në një artikull të publikuar nga Ministria e Jashtme ruse, Lavrov deklaroi se qëllimi i vërtetë i liderëve evropianë nuk është arritja e një marrëveshjeje me Rusinë.
“Synimi i tyre është të mbështesin regjimin e Volodymyr Zelensky dhe ta ruajnë atë, si një platformë për vazhdimin e përballjes me Rusinë”, shkroi ai.
Një zyrtar i Bashkimit Evropian konfirmoi se, javët e fundit kanë ekzistuar kontakte të kufizuara diplomatike, për krijimin e kanaleve të komunikimit me Moskën, por theksoi se nuk janë zhvilluar bisedime me përmbajtje konkrete.
Sipas Lavrov, Evropa e bashkuar vazhdon të ëndërrojë zgjerimin, duke iu referuar veçanërisht zgjerimit të NATO-s dhe BE-së drejt kufijve të Rusisë.
Ai argumentoi se dialogu me Evropën nuk mund të zhvillohet, sikur ajo të ishte një palë e paanshme ose një vëzhguese neutrale.
Kryediplomati rus paralajmëroi gjithashtu për mundësinë e sulmeve bërthamore reciproke, me “pasoja katastrofike” në rast të një përballjeje të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe NATO-s.
Marrëdhëniet diplomatike mes Brukselit dhe Moskës, janë përkeqësuar ndjeshëm që nga pushtimi rus i pjesëve të Ukrainës në vitin 2014, dhe mbeten praktikisht të ngrira që prej nisjes së ofensivës së plotë ruse kundër Ukrainës në vitin 2022.
