Berlin, 19 qershor Zhurnal.mk – Një foshnjë tre muajshe është gjetur e vdekur në Gjermani, më pak se 24 orë pasi ishte raportuar e rrëmbyer nga karroca e saj jashtë banesës, në një rast që ka tronditur opinionin në rajonin Baden-Württemberg.
Sipas autoriteteve gjermane, foshnja dyshohet se është marrë nga një person i panjohur teksa ndodhej në karrocë jashtë shtëpisë. Nëna 37-vjeçare ka deklaruar se e kishte lënë fëmijën për disa minuta në trotuar, ndërsa ishte ngjitur në katin e dytë të banesës për të dërguar pazaret.
Ajo u ka thënë hetuesve se, pasi ishte kthyer nga blerjet, kishte lënë përkohësisht foshnjën jashtë për të marrë çantat. Kur ishte kthyer sërish, fëmija nuk ndodhej më aty.
Pas raportimit të rastit, policia nisi një operacion të gjerë kërkimi, ku u angazhuan dhjetëra efektivë, qen nuhatës dhe dronë për kontrollimin e zonës.
Të premten pasdite, më pak se 24 orë pas zhdukjes, pranë një përroi të lumit Rankbach u gjet trupi i një foshnjeje. Autoritetet janë duke verifikuar nëse bëhet fjalë për fëmijën e zhdukur, ndërsa procedurat zyrtare të identifikimit vazhdojnë.
Duke folur për gazetën gjermane “BILD”, gjyshja e foshnjës ka treguar se nëna ishte kthyer nga pazari me disa çanta dhe ishte ngjitur në banesë para se të zbriste sërish.
Hetuesit po shqyrtojnë të gjitha pistat e mundshme, përfshirë dyshimet se nëna dhe foshnja mund të jenë ndjekur gjatë kthimit nga dyqanet, të cilat ndodhen rreth 15 minuta larg shtëpisë.
Sipas mediave lokale, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, ndërsa zhdukja e foshnjës është raportuar rreth orës 23:30. Një zëdhënës i policisë ka deklaruar se fëmija ishte lënë për një kohë të shkurtër pa mbikëqyrje dhe se dyshohet se një person i panjohur e mori nga karroca dhe u largua.
