Tiranë, 22 qershor, Zhurnal.mk – Sekretarja e Gruas në Partinë Socialiste, Evis Kushi shprehu sot shqetësimin mbi gjuhën e urrejtjes në medie e rrjete sociale, ndaj kujtdo që nuk bie dakord me protestutesit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Kushi u shpreh se gjatë kësaj periudhe po sheh me shumë shqetësim çdo ditë e më shumë gjuhë urrejtje në media e rrjete sociale, ndaj personave publikë me njëri-tjetrin, ndaj deputetëve, kundërshtarëve politikë dhe në përgjithësi kujtdo që mendon ndryshe.
Kushi nënvizoi se askush nuk e vë në diskutim që protesta është një e drejtë kushtetuese dhe një instrument i rëndësishëm i demokracisë. “Dhe duhet ta pranojmë që më në fund ia kemi arritur ditës që këtë të drejtë askush nuk ka frikë ta ushtrojë”, tha ajo.
Por, nga ana tjetër, Kushi theksoi se “është po aq e rëndësishme të kuptojmë që protesta nuk mund të shndërrohet në një alibi që justifikon të gjitha fyerjet, mallkimet, linçimet publike, bullizimet dhe gjuhën e urrejtjes ndaj kujtdo që nuk bie dakord me protestuesit, që gjykon ndryshe dhe vepron ndryshe”.
“Kur debati politik zëvendësohet nga urrejtja, atëherë jo vetëm që humbet demokracia, por dobësohet edhe vetë shoqëria. Sot kemi nevojë për më shumë përgjegjësi nga çdo individ, që nga politikanët, përfaqësuesit e medias, aktivistët e deri tek qytetari i thjeshtë që komenton nëpër rrjete sociale pa hezituar, herë me duartrokitje e herë me mallkime”, u shpreh ajo.
Kritika, sipas Kushit, është e domosdoshme, kundërshtimi mund të jetë legjitim, por dehumanizimi i kundërshtarit nuk është as demokraci dhe as patriotizëm.
“Nuk duhet të pranojmë që klima politike të helmohet deri në pikën ku fyerja konsiderohet argument dhe urrejtja paraqitet si kurajo. Shqipëria meriton një kulturë politike dhe shoqërore më të qytetëruar, ku njerëzit gjykohen për veprat dhe qëndrimet e tyre, por jo të sulmohen për t’u poshtëruar”, tha Kushi.
Sipas saj, “kushdo që e ndjen të nevojshme le të protestojë, le të kërkojë edhe llogari nga pushteti”.
“Por këtë duhet ta bëjë duke ruajtur respektin për njëri-tjetrin, duke ruajtur normat elementare të komunikimit njerëzor. Sepse demokracia nuk matet vetëm nga liria për të folur, por edhe nga mënyra se si zgjedhim ta përdorim atë liri. Shqipërisë i duhet më shumë argument dhe dialog, por shumë më pak urrejtje, sharje dhe përçarje. Le të tregojmë se mund të jemi qytetarë të përgjegjshëm edhe kur jemi në kundërshtim me njëri-tjetrin. Sepse respekti për mendimin ndryshe është shenjë force, jo dobësie. Dhe demokracia mbrohet dhe forcohet çdo ditë jo vetëm duke ngritur zërin, por mbi të gjitha duke ruajtur dinjitetin e fjalës”, tha Kushi.
