Tiranë, 22 qershor, Zhurnal.mk – Autostrada Milot–Balldren, një nga segmentet kyçe të Korridorit Adriatiko-Jonian në Shqipëri, do të ndërtohet në një gjurmë tërësisht të re dhe synon të zgjidhë problematikat e trafikut në një nga akset më të ngarkuara të vendit.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), projekti parashikon ndërtimin e një autostrade me gjatësi rreth 17 kilometra, e projektuar sipas standardeve më të larta europiane të kategorisë A.
“Kjo do të jetë një autostradë e kategorisë A, cilësia më e lartë e rrugëve të standardit europian, me nga dy korsi qarkullimi dhe korsi emergjence në secilin drejtim”, bën të ditur MIE.
Aksi i ri do të ndërtohet në një korridor të ri rrugor, ndërsa rruga ekzistuese Milot–Lezhë–Balldren do të vijojë të funksionojë si rrugë alternative për qarkullimin lokal dhe rajonal.
Një nga veprat më të rëndësishme inxhinierike të projektit është ndërtimi i një tuneli modern me dy tuba, secili me gjatësi 850 metra. Tuneli do të shërbejë për anashkalimin e qytetit të Lezhës dhe do të mundësojë një qarkullim më të shpejtë dhe më të sigurt të mjeteve.
Sipas MIE, tuneli do të jetë pjesë e segmentit të ri që do të ndërtohet mes Urës së Drinit dhe Balldrenit, një zonë ku aktualisht nuk ekziston infrastrukturë rrugore.
Përveç tunelit, projekti përfshin ndërtimin e urave, nyjave lidhëse, rrugëve të shërbimit, sistemeve inteligjente të menaxhimit dhe monitorimit të trafikut, si dhe infrastrukturës së nevojshme për tarifimin e përdoruesve.
Autostrada Milot–Balldren konsiderohet një segment strategjik i Korridorit Adriatiko-Jonian, i cili do të lidhë më mirë veriun e Shqipërisë me rrjetin rajonal të transportit dhe me korridoret europiane.
Vlera e investimit llogaritet rreth 365 milionë euro dhe projekti do të realizohet përmes modelit të Partneritetit Publik-Privat (PPP). Kontrata parashikon një periudhë koncesionare 35-vjeçare, gjatë së cilës koncesionari do të jetë përgjegjës për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës.
