Bozhinovska: E ardhmja e Maqedonisë është e gjelbër, e sigurt energjetikisht dhe e qëndrueshme

Nga Xh M
1,707 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 qershor Zhurnal.mk – Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, deklaroi se Maqedonia ka bërë një zgjedhje të qartë strategjike dhe se e ardhmja e vendit është e gjelbër, e sigurt nga aspekti energjetik dhe e qëndrueshme.

Duke folur në mbledhjen e Komitetit të Tretë Drejtues në kuadër të Kornizës Programore ndërmjet Sida-s dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Bozhinovska theksoi se politika energjetike nuk ka të bëjë më vetëm me prodhimin e energjisë elektrike, por edhe me konkurrueshmërinë ekonomike, shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Në takim morën pjesë edhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, ambasadori i Suedisë në Maqedoni, Ola Sollstrom, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Grigoryan, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe pushtetit lokal.

Ministrja falënderoi Suedinë dhe UNDP-në për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se partneriteti i ndërsjellë ka ndihmuar në ndërtimin e institucioneve më të forta, zhvillimin e zgjidhjeve inovative dhe përshpejtimin e reformave që sjellin përfitime konkrete për qytetarët.

“Qeveria mbetet e përkushtuar që rezultatet e arritura përmes këtyre përpjekjeve të bëhen pjesë e politikave tona afatgjata kombëtare. Së bashku jo vetëm që po përballemi me sfidat e sotme, por po ndërtojmë një të ardhme më të pastër, më të gjelbër dhe më të begatë për Maqedoninë”, tha Bozhinovska.

Sipas saj, ky partneritet dëshmon se bashkëpunimi ndërkombëtar, përgjegjësia kombëtare dhe veprimi në nivel lokal mund të ofrojnë zgjidhje për disa nga sfidat më të mëdha të kohës, si ndotja e ajrit, ndryshimet klimatike, siguria energjetike dhe zhvillimi i qëndrueshëm lokal.

Bozhinovska nënvizoi se Ministria e Energjetikës e ka vendosur tranzicionin e gjelbër në qendër të agjendës së saj, duke përshpejtuar investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë, duke avancuar masat për efikasitet energjetik dhe duke krijuar kushte për dekarbonizimin gradual të ekonomisë.

Ajo theksoi se tranzicioni i gjelbër duhet të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët.

“Energjia e pastër nënkupton ajër më të pastër, emetime më të ulëta, komunitete më të shëndetshme dhe komuna moderne, të gatshme për të tërhequr investime dhe për të krijuar mundësi të reja për zhvillim lokal”, u shpreh ministrja.

Në përfundim, Bozhinovska vlerësoi se Korniza Programore Sida–UNDP ka rëndësi të veçantë, pasi lidh prioritetet kombëtare me veprimin lokal dhe u mundëson institucioneve të kalojnë nga planifikimi në zbatim, duke dëshmuar se zgjidhjet e qëndrueshme janë të mundshme kur qeveria, komunat, partnerët zhvillimorë dhe qytetarët bashkëpunojnë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër