Veljanovski: “Qytet i Sigurt” dha rezultate, vazhdojmë të angazhohemi për sigurinë e qytetarëve

Nga D. V.
1,173 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 qershor, Zhurnal.mk – Qeveria e udhëhequr nga VMRO‑DPMNE që nga dita e parë i ka vendosur modernizimin dhe digjitalizimin si shtylla kyçe të punës së saj. Zgjedhëm reforma konkrete që sjellin rezultate dhe përmirësojnë drejtpërdrejt cilësinë e jetës së qytetarëve. Një nga këto reforma është sistemi “Qytet i Sigurt”, projekt i cili është plotësisht i harmonizuar me standardet evropiane dhe me prioritetet e BE‑së për menaxhim më të mirë dhe siguri më të madhe në rrugë, thuhet në njoftimin e VMRO‑DPMNE‑së nga konferenca e sotme për media e deputetit Aleksandar Veljanovski.

Tekstin e përcjellim të plotë:

Për realizimin e suksesshëm të tij u miratuan të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore, ndërsa i gjithë procesi u zhvillua në mënyrë transparente. Qeveria që në fillim informoi publikun se sistemi fillimisht do të funksionojë në periudhë testuese, e cila nisi më 1 dhjetor të vitit të kaluar.

Rezultatet e para të testimit treguan qartë me çfarë situate përballeshim. Vetëm në 24 orët e para u regjistruan rreth 110.000 kundërvajtje, prej të cilave mbi 90% kishin të bënin me tejkalim të shpejtësisë, ndërsa u evidentuan rreth 5.000 kalime në dritë të kuqe dhe rreth 1.000 automjete të paregjistruara. Këto shifra janë tregues i fortë se një sistem i tillë ishte i domosdoshëm.

Por, që në ditën e dytë të periudhës testuese ndryshimi u bë i dukshëm. Numri i kundërvajtjeve u ul pothuajse përgjysmë, në 50.652 në ditë, gjë që dëshmoi se sistemi ka efekt të fortë parandalues dhe ndikon në sjelljen e pjesëmarrësve në komunikacion.

Deri në momentin kur nisi zbatimi i plotë i sistemit, më 1 shkurt 2026, numri ditor i kundërvajtjeve u stabilizua në rreth 500 deri në 600, që paraqet ulje prej mbi 99% krahasuar me ditën e parë të fazës testuese.

Qëllimi kryesor i “Qytet i Sigurt” është shpëtimi i jetëve njerëzore, ulja e numrit të aksidenteve të rënda dhe deri në vitin 2030 përgjysmimi i rasteve me fatalitet dhe lëndime serioze në rrugë.

Sistemi fillimisht u vendos në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në korridoret 8 dhe 10, ndërsa më pas u implementua edhe në Veles.

Javën e kaluar u vendosën kamera në autostradën pranë Novo Sellës në komunën e Debarcës, ndërsa paralelisht nisi edhe futja graduale e sistemit në Ohër.

Më e rëndësishmja është se sot flasim për rezultate, jo për premtime. Në pesë muajt e parë të zbatimit të sistemit, numri i personave të vdekur në aksidente trafiku është ulur për 40%, nga 55 viktima në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në 33 këtë vit.

Të nderuar,

Qeveria e udhëhequr nga VMRO‑DPMNE mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve dhe në zbatimin e politikave që sjellin rezultate konkrete.

Sot flasim për rezultate të matshme. Ulja e numrit të kundërvajtjeve dhe e viktimave në aksidente tregon se reforma po e realizon qëllimin themelor: shpëtimin e jetëve njerëzore dhe krijimin e rrugëve më të sigurta për të gjithë qytetarët.

Qeveria do të vazhdojë me zgjerimin e sistemit “Qytet i Sigurt” dhe me investime në teknologji moderne që përmirësojnë sigurinë publike, sepse siguria e qytetarëve nuk ka alternativë. Detyrimi ynë është të ndërtojmë një shtet ku ligjet vlejnë njësoj për të gjithë dhe ku çdo qytetar ndihet më i sigurt dhe më i mbrojtur.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër