​Të paktën pesë shtete të BE-së po e bllokojnë Serbinë e Vuciqit në rrugën drejt anëtarësimit

Nga Xh M
1,388 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Beograd, 4 korrik Zhurnal.mk – Të paktën pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian aktualisht po e bllokojnë drejtpërdrejt Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së, duke mos mbështetur hapjen e grupit të tretë të kapitujve (Klasterit 3) në negociatat e anëtarësimit.

Përveç Holandës, përfaqësuesi i së cilës e ka konfirmuar zyrtarisht këtë për Radion Evropa e Lirë, ndër vendet që kundërshtojnë hapjen e klasterit janë edhe tri shtetet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania – si dhe Suedia.

Në anën tjetër, gazeta Danas raporton se një qasje e tillë është e paprecedentë në procesin e integrimit evropian të Serbisë dhe përbën një sinjal serioz alarmi.

“Situata ka arritur në pikën kritike”, kanë thënë burime të kësaj gazete.

Përgjegjës për këtë situatë ata e konsiderojnë regjimin e presidentit Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se ai i ka shteruar tashmë të gjitha kreditë politike dhe besueshmërinë për përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Sipas tyre, mënyra e qeverisjes së tij karakterizohet me korrupsion, shkelje të të drejtave të njeriut dhe kufizim të lirisë së shprehjes.

Sipas Radios Evropa e Lirë, arsyet kryesore të kundërshtimit për hapjen e Klasterit 3 lidhen me gjendjen në fushën e sundimit të ligjit. Për disa shtete anëtare, faktor i rëndësishëm mbetet edhe fakti që Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë ishte arsyeja e parë që nga dhjetori i vitit 2021 negociatat e anëtarësimit të Serbisë me BE-në u bllokuan praktikisht.

Ndërkohë, situata në fushën e sundimit të ligjit është përkeqësuar, gjë që është pasqyruar edhe në raportet e Komisionit Evropian.

Klasteri 3 ka të bëjë me konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse dhe përfshin tetë kapituj negociues. Komisioni Evropian kishte vlerësuar që në vitin 2021 se kushtet për hapjen e tij ishin përmbushur.

Për hapjen ose mbylljen e një klasteri në negociatat e anëtarësimit kërkohet miratimi unanim i të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër