Shkup, 11 korrik Zhurnal.mk – Profili SkiMacedonia (СкиМакедонија) njoftoi se dje është vërejtur një ari në njërën prej shtigjeve malore drejt Vodnos dhe u bëri thirrje vizitorëve që të jenë veçanërisht të kujdesshëm.
Sipas njoftimit, ariu është parë pas fshatit Nerez, në afërsi të Gorno Krushopekut.
“Është raportuar se një ari është vërejtur pas Nerezit, te Gorno Krushopeku. Në shoqatat e alpinistëve tashmë është raportuar prania e ariut në itinerarin Jasen – Matkë – Nerez”, thuhet në njoftimin e SkiMacedonia.
Nga profili u bëhet apel alpinistëve, rekreativëve dhe të gjithë vizitorëve të Vodnos që të lëvizin me kujdes, mundësisht në grupe, dhe të shmangin kalimin në pjesë të izoluara të malit derisa të përcaktohet lëvizja e kafshës.
