Përshkallëzohet konflikti, SHBA godet 140 objektiva në Iran, Teherani mbyll Ngushticën e Hormuzit

Nga Xh M
704 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Doha, 12 korrik Zhurnal.mk – Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm, pasi Uashingtoni njoftoi se ka nisur një valë të re sulmesh ajrore kundër objektivave ushtarake iraniane, në përgjigje të sulmit të Teheranit ndaj një anijeje që po kalonte në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), sulmet u ndërmorën pasi Garda Revolucionare Islamike (IRGC) goditi anijen MV GFS Galaxy, me flamur qipriot, duke i shkaktuar dëme të mëdha në dhomën e motorëve. Autoritetet amerikane thanë se një anëtar civil i ekuipazhit rezulton i zhdukur, ndërsa pjesa tjetër e ekuipazhit u detyrua të braktisë anijen.

SHBA deklaroi se gjatë operacionit u goditën rreth 140 objektiva ushtarake iraniane, përfshirë baza raketash dhe dronësh, rrjete komunikimi dhe pozicione të mbikëqyrjes bregdetare.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare iraniane njoftoi se ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit deri në një njoftim të dytë, duke paralajmëruar se çdo “agresion” i mëtejshëm amerikan do të marrë një përgjigje të ashpër. Sipas mediave shtetërore iraniane, vendimi erdhi pasi një anije u ndal me të shtëna paralajmëruese, pasi kishte injoruar urdhrat e autoriteteve iraniane.

Vetëm pak orë pas sulmeve amerikane, IRGC deklaroi se nisi fazën e parë të kundërpërgjigjes, duke goditur Bazën Ajrore Prince Hassan në Jordani, ku sipas Teheranit u shkatërruan qendra e komandës dhe hangarët e dronëve MQ-9. Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti dhe Bahreini raportuan se aktivizuan sistemet e mbrojtjes ajrore për të përballuar raketa dhe dronë të lëshuar nga Irani.

Në një deklaratë, CENTCOM akuzoi Iranin se “edhe një herë dështoi të respektojë angazhimet e tij” pas sulmeve të mëparshme ndaj anijeve tregtare. Deklarata u shpërnda edhe nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili shkroi: “Irani bëri një zgjedhje të keqe. Tani ata paguajnë.”

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër