Kodi Zgjedhor ka ngecur mes reformave dhe përplasjes partiake

Nga I.A
788 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 korrik, Zhurnal.mk – Dështoi përpjekja e Levicës për t’i ulur në të njëjtën tryezë partitë opozitare me qëllim arritjen e një qëndrimi të përbashkët për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Pasi socialdemokratët e refuzuan idenë duke e vlerësuar si teatër dhe lojë të pushtetit, nga Levica reaguan ashpër duke thënë se SDSM edhe një herë ka dëshmuar se irelevanca politike nuk është vetëm çështje rezultati zgjedhor, por edhe refleksi politik, shkruan SlobodenPecat, transmeton Zhurnal.

“Parti që për vite me radhë çdo parim e ka shndërruar në monedhë pazari, sot përpiqet të mbajë leksione për opozitarizëm ndaj një partie parlamentare që ka iniciuar koordinim të bllokut opozitar rreth një reforme thelbësore të Kodit Zgjedhor. Në vend të një reagimi të përgjegjshëm dhe dinjitoz, dhe në vend të një qëndrimi për një njësi të vetme zgjedhore, SDSM doli me një njoftim të përbërë nga frustrim politik dhe përpjekje e dëshpëruar për ta zhvendosur vëmendjen nga tema që duket se u përshtatet më së paku”, njoftuan nga Levica.

Ata theksuan se SDSM gjatë gjithë debatit për Kodin Zgjedhor nuk ka ndërtuar asnjë pozicion të qartë politik për çështjet thelbësore.

“Në vend që të shpjegojnë nëse janë për një njësi të vetme zgjedhore, nëse çdo votë duhet të vlejë njësoj dhe nëse Maqedonia duhet më në fund të ketë një sistem zgjedhor më të drejtë, ata këmbëngulin ta reduktojnë debatin në teori konspirative. Refuzimi i koordinimit përbën humbje të drejtpërdrejtë të mundësisë që pushteti të detyrohet të pranojë një qëndrim të përbashkët opozitar. Veçanërisht simptomatike është që partia që për vite ka pretenduar se angazhohet për një njësi të vetme zgjedhore, sot refuzon madje edhe të ulet në tryezë për të diskutuar për një reformë të tillë”, reaguan nga partia e Dimitar Apasievit, duke shtuar se me refuzimin e saj SDSM nuk e ndëshkon Levicën, por humbet mundësinë që opozita të veprojë e bashkuar dhe të sigurojë rregulla zgjedhore më të mira.

Partia opozitare Levica gjatë fundjavës njoftoi se do të iniciojë një takim koordinues për ndryshimet në Kodin Zgjedhor mes partive opozitare. Ideja ishte që opozita të harmonizojë qëndrimet dhe të ndërtojë një propozim të vetëm.

Nga SDSM dje njoftuan se nuk do të marrin pjesë në takim, duke theksuar se bëhet fjalë për teatër dhe lojë të pushtetit. SDSM është e prerë se tashmë i ka dorëzuar propozimet e veta në Kuvend dhe se nuk ka nevojë për të reja.

“SDSM tashmë i ka dhënë propozimet e veta të qarta dhe konkrete në Kuvend. Propozimet tona janë të qarta: garantojnë zgjedhje të ndershme dhe transparente dhe parandalojnë mundësinë e vjedhjes zgjedhore, veçanërisht të votave të diasporës. Çdo gjë tjetër është shfaqje. Ky është një përpjekje klasik i Mickoskit, përmes satelitëve të tij, për të krijuar përshtypjen se opozita po e bllokon reformën e Kodit Zgjedhor. Por e vërteta është e kundërta. Mickoski është ai që dëshiron ligj me të cilin do të mund të vidhen votat e diasporës”, njoftuan nga SDSM.

Nga VMRO‑DPMNE, ndërkohë, sot përsëritën se dëmin më të madh nga bllokimi i Kodit Zgjedhor nga opozita do ta pësojnë qytetarët maqedonas që jetojnë jashtë vendit.

“Me muaj të tërë kërkohej zgjidhje e përbashkët, por në vend që procesi të përfundonte me konsensus politik, SDSM, Levica dhe BDI zgjodhën ta bllokojnë ligjin dhe t’i vendosin interesat e tyre partiake para interesave të dhjetëra mijëra emigrantëve maqedonas. VMRO‑DPMNE ka bërë të qartë se do t’i pranojë të gjitha kërkesat e opozitës, edhe pse ato nuk janë thelbësore, vetëm që diaspora të mund të votojë elektronikisht ose me postë. Diaspora maqedonase meriton të drejtë të barabartë për pjesëmarrje në proceset zgjedhore”, njoftuan nga VMRO‑DPMNE.

Mospajtimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor nisën që në prill. SDSM u largua nga grupi punues në Ministrinë e Drejtësisë pasi, pavarësisht paralajmërimeve të opozitës, pushteti e hoqi modelin e të ashtuquajturës qeveri teknike para zgjedhjeve parlamentare, të vendosur me marrëveshjen e Përzhinës në vitin 2015 si zgjidhje për krizën e atëhershme politike.

Në javët e fundit u imponua çështja e votimit të diasporës. Ajo edhe tani ka të drejtë vote, por vetëm me prezencë fizike në përfaqësitë diplomatike‑konsullore të vendit jashtë shtetit. VMRO‑DPMNE propozon që diaspora të votojë elektronikisht ose me postë, gjë që SDSM e refuzon duke akuzuar pushtetin për tentativë vjedhjeje zgjedhore. Për SDSM është gjithashtu e papranueshme që votuesit në vend të identifikohen me gjurmë gishti, ndërsa diaspora të votojë me mekanizëm të paprovuar. Socialdemokratët kërkojnë formimin e një komisioni ekspertësh për këtë çështje, ndërsa VMRO‑DPMNE e sheh këtë si zvarritje të procesit.

Përveç debatit për mënyrën e votimit të diasporës, ndryshimet e mundshme të Kodit Zgjedhor parashikojnë edhe një numër të madh risish dhe propozimesh – nga mënyra e financimit të fushatave të partive deri te propozimet për ndryshimin e modelit të njësive zgjedhore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër