Shkup, 23 nëntor, Zhurnal.mk – Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, sot priti studentët e Fakultetit të Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit (FETI), të cilët vizituan Ministrinë të shoqëruar nga dekani dhe një profesoreshë e fakultetit. Gjatë takimit, ministrja theksoi rëndësinë e lidhjes së komunitetit akademik me institucionet dhe krijimit të mundësive që inxhinierët e rinj ta zbatojnë njohurinë e tyre në praktikë. Ajo foli edhe për rëndësinë e kuadrove të reja profesionale, inovacionit dhe pjesëmarrjes së tyre aktive në zhvillimin e sektorit të energjetikës. Studentët u njohën me kompetencat dhe prioritetet e Ministrisë, përfshirë sigurinë energjetike, burimet e ripërtëritshme dhe efiçiencën e energjisë.
Një pjesë e veçantë e vizitës iu kushtua prezantimeve të punonjësve të rinj të Ministrisë, ish-pjesëmarrës të SKEEOR-it, të cilët ndanë përvojat e tyre profesionale – nga angazhimi si praktikantë deri te punësimi, detyrat e punës, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe mundësitë për përsosje profesionale. Vizita synon thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë dhe FETI-t, si dhe nxitjen e inxhinierëve të rinj që ta zhvillojnë potencialin dhe karrierën e tyre profesionale në institucionet vendore.




