Tiranë, 14 korrik Zhurnal.mk – Ministria e Arsimit ka bërë publik relacionin për miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit, i cili synon rregullimin, transparencën dhe vlerësimin e proporcionalitetit të kritereve për ushtrimin e profesioneve në Republikën e Shqipërisë. Ky projektakt vjen si një detyrim i drejtpërdrejtë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, posaçërisht për përmbushjen e kritereve të Kapitullit 3, “E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime”.
Dokumenti zyrtar synon t’i japë fund fragmentimit institucional dhe të vendosë një standard të unifikuar kombëtar për kualifikimet profesionale.
Përafrimi me Acquis të BE-së dhe lista kombëtare
Plani Kombëtar i Veprimit shërben si instrumenti themelor për transpozimin e direktivave evropiane, duke garantuar lirinë e lëvizjes së profesionistëve dhe njohjen e kualifikimeve të tyre. Dokumenti thekson rëndësinë e këtij procesi përmes përmbushjes së kriterit përmbyllës, i cili përcakton se:
“Shqipëria ka miratuar dhe i ka paraqitur Komisionit Evropian një listë të profesioneve të rregulluara në kuptim të acquis përkatës të Bashkimit Evropian, duke specifikuar aktivitetet që mbulohen nga secili profesion, si dhe justifikimet përkatëse mbi rregullimin e tyre.”, thuhet në relacionin shoqërues.
Për realizimin e këtij qëllimi, qeveria ka inventarizuar një listë shteruese prej 323 profesioneve të rregulluara, të cilat do të mbikëqyren nga 11 autoritete rregullatore qendrore.
Një nga synimet kryesore të kësaj nisme, sipas relacionit, është “përafrimi i kuadrit ligjor dhe institucional kombëtar me acquis-in e BE-së në fushën e profesioneve të rregulluara dhe njohjes së kualifikimeve profesionale.”
Objektivat dhe ngritja e Regjistrit Elektronik
Për të adresuar problematikat aktuale, si mungesa e standardizimit dhe barra e lartë administrative, drafti parashikon masa konkrete, ndër të cilat spikat digjitalizimi i të dhënave. Kjo do të realizohet përmes “krijimit dhe konsolidimit të bazës kombëtare elektronike të profesioneve të rregulluara, si pikë e vetme informacioni për qytetarët, profesionistët dhe institucionet.”
Sipas planit të veprimit të hartuar me mbështetjen teknike të projektit SANECA II (GIZ), procesi i përafrimit të plotë me legjislacionin evropian është ndarë në dy faza. Deri në fund të vitit 2027 synohet përfundimi i ndryshimeve rregullatore parësore; deri në fund të vitit 2030 synohet konsolidimi i plotë i mekanizmave administrativë për zbatimin, raportimin dhe rishikimin periodik.
Aspektet financiare dhe koordinimi institucional
Ministria e Arsimit do të marrë rolin e Koordinatorit Kombëtar për mbikëqyrjen e këtij procesi, duke bashkërenduar punën me ministritë e linjës, autoritetet e pavarura, si dhe dhomat apo urdhrat profesionalë.
Në përfundim të relacionit, propozuesi sqaron se ndryshimet e propozuara në këtë projektvendim nuk do të rëndojnë financat e shtetit. Dokumenti saktëson qartësisht se kjo nismë “nuk parashikon efekte buxhetore shtesë për Buxhetin e Shtetit”.
