Shkup, 21 korrik, Zhurnal.mk – Rishikimi i Buxhetit për vitin 2026 nuk është pasojë e problemeve në financat publike, por paraqet një koncept zhvillimor që parashikon investime shtesë në projekte kapitale, mbështetje për qytetarët dhe nxitje të rritjes ekonomike, pavarësisht pasigurive në tregjet globale, tensioneve gjeopolitike dhe presioneve inflacioniste. Kështu u shpreh ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Sipas saj, përmes këtij ribalanci, Qeveria garanton stabilitetin e financave publike dhe përmbushjen me kohë të të gjitha obligimeve ligjore, ndërsa njëkohësisht rrit fondet për investime kapitale, bujqësinë, kategoritë sociale, arsimin, sportin dhe infrastrukturën lokale.
“Ribalanci i Buxhetit do të sigurojë pagesën e rregullt të pagave, pensioneve, ndihmave sociale dhe të gjitha detyrimeve të tjera të shtetit ndaj qytetarëve. Në kushtet e të ardhurave të qëndrueshme buxhetore, fokusi ynë tani është te investimet kapitale”, theksoi Dimitrieska-Koçoska në një intervistë për Plusinfo përcjell INA.
Ajo shtoi se investimet në rrugë, hekurudha, energjetikë, arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë komunale do të krijojnë aktivitet më të madh ekonomik, vende të reja pune dhe standard më të mirë jetese.
Ministrja sqaroi se ndryshimet në Buxhet janë bërë për t’iu përshtatur rrethanave të reja ekonomike dhe detyrimeve të reja ligjore, e jo për shkak të mungesës së mjeteve financiare apo problemeve me likuiditetin e shtetit.
Sipas saj, nevoja për ribalanc erdhi si rezultat i ndryshimeve ekonomike gjatë vitit, të ndikuara nga situata gjeopolitike, rritja e çmimeve të energjisë dhe luhatjet në tregjet ndërkombëtare. Gjithashtu, janë krijuar detyrime të reja ligjore nga marrëveshjet kolektive, si dhe nevoja për mbështetje të bujqësisë, programeve sociale dhe komunave.
Dimitrieska-Koçoska theksoi se ky nuk është një ribalanc krizash, por një ribalanc zhvillimor, pasi fondet janë orientuar drejt projekteve që krijojnë vlerën më të madhe për ekonominë.
Ajo vlerësoi gjithashtu se miratimi i amendamenteve që mbështesin gratë fermere, linjën kombëtare SOS dhe hapjen e dy qendrave të strehimit për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, dëshmon se Qeveria është e hapur për propozime që janë në interes të qytetarëve.
Në fund, ministrja theksoi se treguesit pozitivë ekonomikë – si rritja e Bruto Prodhimit Vendor me 3,1 për qind në tremujorin e parë, rritja e investimeve të huaja direkte, si dhe zhvillimi i sektorëve të ndërtimtarisë, shërbimeve dhe eksportit – tregojnë se ekonomia e Maqedonisë së Veriut është e qëndrueshme dhe se politikat qeveritare po japin rezultate. Sipas saj, ribalanci krijon bazë për vazhdimin e ciklit investues, ruajtjen e disiplinës fiskale dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.
