Prishtinë, 21 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka vizituar këtë të martë fshatin Kovragë të Istogut, i cili u godit nga stuhia e fuqishme me breshër që shkaktoi dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore dhe pemishtet e zonës.
Gjatë vizitës, ministri u takua me fermerët e prekur dhe pa nga afër pasojat e motit të lig, duke dëgjuar shqetësimet e tyre lidhur me humbjet e pësuara.
Ai u informua për shkallën e dëmtimeve në arat dhe prodhimet bujqësore, të cilat në shumë raste janë dëmtuar rëndë.
Muja theksoi se institucionet përgjegjëse do të angazhohen për vlerësimin e dëmeve në terren, në mënyrë që fermerët e prekur të trajtohen sipas procedurave dhe mekanizmave në fuqi.
Fermerët kërkuan mbështetje institucionale për tejkalimin e pasojave të stuhisë, duke theksuar se dëmet e shkaktuara nga breshëri kanë rrezikuar seriozisht prodhimin e këtij sezoni.
Vizita në Kovragë vjen pas reshjeve intensive me breshër që goditën disa pjesë të Komunës së Istogut, duke lënë pas dëme të mëdha në sektorin e bujqësisë.


