Uashington, 22 korrik, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan, Donald Trump, ka miratuar një marrëveshje historike bërthamore 30-vjeçare me Arabinë Saudite, raportojnë mediat amerikane, duke cituar burime qeveritare.
Sipas “The Wall Street Journal”, marrëveshja do t’i mundësojë Arabisë Saudite të zhvillojë një program civil të energjisë bërthamore dhe mund të hapë rrugën për pasurimin e uraniumit në territorin saudit.
Edhe “The New York Times” konfirmoi ekzistencën e paktit.
Marrëveshja shumë miliardë dollarëshe parashikon që kompanitë amerikane të kenë rolin kryesor në ndërtimin e infrastrukturës bërthamore saudite, duke përjashtuar konkurrencën e kompanive të huaja.
Një nga pikat kryesore të saj është ndërtimi nga kompani amerikane i një impianti për pasurimin e uraniumit në Arabinë Saudite, nëse një studim i përbashkët SHBA-Arabi Saudite arrin në përfundimin se një hap i tillë është i nevojshëm.
Administrata Trump vlerëson se përfshirja e kompanive amerikane do t’i japë Uashingtonit ndikim mbi programin bërthamor saudit dhe do të ndihmojë në parandalimin e përdorimit të tij për qëllime ushtarake.
Megjithatë, marrëveshja, e cila pritet t’i paraqitet Kongresit amerikan për shqyrtim në ditët në vijim, mund të përballet me kundërshtime të forta.
Shumë ligjvënës kundërshtojnë zgjerimin e teknologjisë bërthamore në Lindjen e Mesme, për shkak të tensioneve të vazhdueshme në rajon.
Sipas “The New York Times”, presidenti Trump ka bërë disa kompromise për të arritur këtë marrëveshje.
Një prej tyre lidhet me pranimin e kushteve që mund të kufizojnë aksesin e inspektorëve ndërkombëtarë në disa objekte, veçanërisht në rastet kur ekziston dyshimi se karburanti bërthamor mund të devijohet për programe armësh.
