Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për dekretin e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës për shkarkimin e prokurorëve serbë, si dhe për vendimin e një dite më parë të Këshillit Prokurorial të Kosovës për të mos pranuar tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.
Në një komunikatë për media, zëdhënësja e BE-së vlerëson se këto veprime “duken të papajtueshme me ligjin, me procesin e rregullt ligjor dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë”.
Bashkimi Evropian ka mirëpritur tërheqjen e dorëheqjeve nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës nga radhët e serbëve të Kosovës. Në të njëjtën kohë, Brukseli rikujton se i ka bërë vazhdimisht thirrje Prishtinës që të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor serb të Kosovës, në përputhje me ligjin e Kosovës dhe marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut.
