Prishtinë, 27 korrik, Zhurnal.mk – Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet Gj.M., nën dyshimin se ka kryer në vazhdimësi veprën penale “Mashtrimi”, duke u paraqitur në mënyrë të rreme si përfaqësuese e një organizate joqeveritare dhe duke përfituar mjete financiare nga qytetarët.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur nga Departamenti i Përgjithshëm, pasi ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura, gjatë periudhës 2022–2024, ka mashtruar një numër të konsiderueshëm qytetarësh përmes paraqitjes së rreme të fakteve.
Sipas aktakuzës, ajo u premtonte qytetarëve përfitimin e donacioneve, përfshirë krerë gjedhësh, sera bujqësore, si dhe ndërmjetësim për sigurimin e termineve për viza, në këmbim të pagesave të ndryshme.
“Me këto veprime, e pandehura dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën e përgjithshme prej 11,650 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Pejë që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, ta shpallë fajtore të pandehurën për veprën penale që i vihet në barrë dhe ta dënojë sipas ligjit.
