Pentagoni nis rishikimin e pranisë së trupave amerikane në Evropë

Nga D V
643 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 28 korrik, Zhurnal.mk – Ushtria amerikane ka nisur rishikimin e paralajmëruar të pranisë së saj ushtarake në Evropë.

Elbridge Colby, zyrtari i tretë më i lartë në Pentagon, e përshkroi këtë proces si një “rishikim të vërtetë” në një postim sot në platformën X.

Colby tha se qëllimi i këtij rishikimi është të sigurojë që vendet evropiane të NATO-s të marrin përsipër përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e Evropës, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe të forcojnë ushtritë e tyre, në vend që të mbështeten kryesisht te SHBA-ja.

Zyrtari iu referua sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili e kishte njoftuar këtë rishikim gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s në Bruksel në muajin qershor.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tani përdor emërtimin “Departamenti i Luftës”.

Colby nuk dha detaje, se cilat pjesë të pranisë ushtarake amerikane në Evropë do të shqyrtohen.

Megjithatë, sipas raportimeve të medieve në qershor, përveç numrit të trupave amerikane, do të analizohen edhe numri i avionëve luftarakë, dronëve, avionëve furnizues me karburant dhe njësive detare të dislokuara në Evropë, me mundësinë e reduktimit të tyre.

Colby: Rishikimi do të marrë parasysh realitetet gjeopolitike dhe ushtarake

Sipas Colby, ky proces duhet të sigurojë që prania ushtarake amerikane në Evropë, të përputhet me strategjitë aktuale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të bazohet në një kuptim të qartë të realiteteve gjeopolitike dhe ushtarake në botë.

Strategjia e re e mbrojtjes, e paraqitur nga presidenti Donald Trump në janar, thekson se megjithëse SHBA-ja synon të mbetet një aleat dhe partner i fortë i NATO-s dhe vendeve evropiane, prioriteti kryesor i saj është mbrojtja e territorit amerikan dhe frenimi i zgjerimit të ndikimit të Kinës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër