Uji i ndotur në Gostivar, qytetarët mund të kërkojnë dëmshpërblim

Nga Xh M
990 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Gostivar, 28 korrik Zhurnal.mk – Qytetarët e Gostivarit që kanë pasur probleme shëndetësore si pasojë e ujit të ndotur duhet të ruajnë të gjithë dokumentacionin mjekësor dhe faturat fiskale, pasi ato mund të shërbejnë si dëshmi në një procedurë të mundshme për kompensimin e dëmit.

Këtë e theksoi Andrijana Markovska nga Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj, gjatë një interviste për TV Telma. Ajo sqaroi se qytetarët duhet të posedojnë raporte mjekësore, analiza, letra lëshimi nga spitalet, si dhe faturat për shpenzimet e trajtimit dhe terapive.

Sipas Markovskës, ekzistojnë disa mekanizma ligjorë për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Njëri prej tyre është paraqitja e ankesës te Avokati i Popullit, nëse qytetarët konsiderojnë se u është cenuar e drejta për ujë të pijshëm të sigurt, e drejta për mbrojtje shëndetësore ose në rast të veprimit apo mosveprimit të institucioneve. Ankesa mund të dorëzohet me telefon, me shkrim, përmes postës elektronike ose në zyrën rajonale të Avokatit të Popullit në Tetovë.

Ajo shtoi se, nëse ndërmarrja publike u dërgon qytetarëve fatura për furnizim me ujë për periudhën kur uji nuk ka qenë i sigurt për konsum, ata kanë të drejtë të paraqesin kundërshtim. Kundërshtimi duhet të dorëzohet brenda 15 ditëve nga pranimi i faturës, por kjo nuk nënkupton se qytetarët lirohen automatikisht nga pagesa.

Nëse kundërshtimi nuk pranohet nga ndërmarrja komunale, qytetarët kanë të drejtë të nisin procedurë administrative para Gjykatës Administrative.

Markovska bëri të ditur gjithashtu se, nëse gjatë mbikëqyrjes inspektuese konstatohet se ka pasur lëshime nga institucionet përgjegjëse, mund të iniciohet edhe procedurë për kundërvajtje ndaj personave përgjegjës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër