Audio-incizimi për shkarkimin e Abdixhikut, LDK kërkon hetim dhe paralajmëron masa disiplinore

Nga D V
821 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 29 korrik, Zhurnal.mk – Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas publikimit të një audio-incizimi që ka nxitur debat në opinion, duke bërë të ditur se do të ndërmarrë procedura statutare dhe disiplinore ndaj çdo anëtari të partisë që rezulton i përfshirë në rast.

LDK ka dënuar ashpër çdo formë të shantazhit, kërcënimit apo ndikimit në vullnetin e lirë të delegatëve.

Në reagimin zyrtar, LDK thekson se pamjet e publikuara, në të cilat pretendohet se zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë ushtruar presion përmes kërcënimeve që lidhen me vendin e punës së një anëtari të familjes së delegatit, janë të papranueshme, në kundërshtim me Statutin e partisë, vlerat demokratike dhe ligjin.

“LDK është ndërtuar mbi lirinë e mendimit, votës dhe bindjes. Askush e aq më pak ata aë bartin role institucionale, nuk kanë të drejtë ta zëvendësojë vullnetin e lirë të delegatëve me frikësim, presion apo shantazh”, thuhet në reagim.

Partia njofton se do të iniciojë menjëherë procedura statutare dhe disiplinore ndaj anëtarëve që rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pa dallim funksioni apo pozite.

Po ashtu, i ka bërë thirrje Prokurorisë që të ndërmarrë hetimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe për të vendosur përgjegjësi ligjore nëse konstatohen elemente të veprave penale.

“Prandaj, organet kompetente të LDK-së do të iniciojnë menjëherë dhe pa asnjë vonesë, procedurat statutare dhe disiplinore ndaj këtyre anëtarëve të LDK që rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pa dallim funksioni apo pozite. Njëkohësisht, ftojmë organet e drejtësisë, në veçanti Prokurorinë, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe për të vendosur përgjegjësi ligjore mbi elementet e veprave penale”, ka theksuar LDK.

Kujtojmë se, pas publikimit të audio-incizimeve edhe zyrtari i Komunës së Prishtinës, Gentrit Syla ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se nuk ka ndikuar në punësime dhe se materiali i publikuar është i manipuluar. Ai e cilësoi publikimin si një përpjekje për shantazh ndaj tij dhe kërkoi që rasti të hetohet nga organet kompetente.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër