Kallëzime penale për dy persona: Buxheti i shtetit është dëmtuar për më shumë se 12,6 milionë denarë

Nga D V
1,032 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 korrik, Zhurnal.mk – Policia Financiare dyshon dy pronarë dhe administratorë të një kompanie se përmes detyrimeve të paraqitura, taksave të padeklaruara dhe mosdorëzimit të bilanceve përfundimtare kanë dëmtuar buxhetin e shtetit.

Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal kundër dy pronarëve dhe administratorëve të një kompanie, si dhe kundër vetë personit juridik, për dyshimin e fshehjes tatimore, me të cilën, sipas pretendimeve, Buxheti i shtetit është dëmtuar për më shumë se 12,6 milionë denarë.

Nga Policia Financiare informojnë se kallëzimet janë paraqitur në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit dhe kanë të bëjnë me aktivitete të dyshimta financiare në periudhën nga viti 2016 deri në 2025.

Sipas pretendimeve në kallëzim, i pandehuri i parë N.O., shtetas i Turqisë, i cili ka qenë pronar real dhe administrator i firmës në periudhën nga 2016 deri në 2021, pas dorëzimit të bilancit të fundit, në të cilin ishte treguar humbje neto prej 834.571 denarësh, ka ndryshuar strukturën pronësore dhe administruese të kompanisë.

Si pronar dhe administrator i ri është regjistruar i pandehuri i dytë E.M.

Policia Financiare pretendon se për vitet e biznesit 2022, 2023, 2024 dhe 2025 nuk janë përgatitur dhe dorëzuar bilance përfundimtare, për shkak të së cilës mall tregtar në vlerë prej 32 milionë denarësh është përvetësuar pa bazë.

Për më tepër, sipas kallëzimit, nuk janë llogaritur, deklaruar dhe paguar detyrimet për tatimin mbi vlerën e shtuar në shumë prej 5,7 milionë denarësh, si dhe tatimi mbi të ardhurat personale prej 3,5 milionë denarësh.

Nga Policia Financiare theksojnë gjithashtu se të pandehurit nuk i kanë fshirë, as i kanë paraqitur si të ardhura detyrimet afatshkurtra të vjetëruara ndaj furnitorëve më të vjetra se tre vjet, në shumë totale prej 32,8 milionë denarësh. Për këtë arsye, sipas dyshimeve, nuk është llogaritur dhe paguar tatimi mbi fitimin prej 3,2 milionë denarësh.

Me të gjitha këto veprime, siç thuhet në kallëzim, të pandehurit nuk i kanë përmbushur detyrimet tatimore në shumë totale prej 12.615.871 denarësh, me çka i është shkaktuar dëm Buxhetit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër