INSTAT: Mbi 3.8 milionë pasagjerë udhëtuan me avion në Shqipëri, rritje 26,4% në një vit

Nga D V
689 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 30 korrik, Zhurnal.mk – Mbi 3.8 milionë pasagjerë udhëtuan me linja ajrore në Shqipëri gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 26,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, gjatë periudhës prill-qershor 2026 në transportin ajror operuan 33 shoqëri ajrore të huaja, ose katër më shumë se në të njëjtin tremujor të vitit 2025.

Ndërkohë në hapësirën ajrore shqiptare u regjistruan 121 684 lëvizje avionësh, nga të cilat 98 468 ishin mbikalime, që përbëjnë 80, 9 % të totalit. Ndërsa, numri i fluturimeve me nisje dhe mbërritje në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë arriti në 23 216, në rritje krahasuar me 18 458 fluturime të regjistruara një vit më parë.

Rritja më e fortë u shënua në numrin e pasagjerëve. Gjatë tremujorit të dytë 2026 udhëtuan me transport ajror 3 858 055 pasagjerë, kundrejt 3 052 511 pasagjerëve në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke reflektuar zgjerimin e trafikut ajror dhe shtimin e kërkesës për udhëtime.

Ndërkohë, transporti ajror i mallrave shënoi një ecuri më të dobët. Volumi i mallrave dhe postës që hynë dhe dolën përmes transportit ajror arriti në 704 tonë, ku 74, 6% ishin mallra të hyrë dhe 25, 4% mallra të dalë. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, ky volum rezultoi 11, 9% më i ulët.

Edhe tregtia e mallrave me rrugë ajrore shënoi rënie. Volumi i eksporteve dhe importeve ajrore ishte 556 tonë, ose 4, 7% më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT, mallrat e importuara me rrugë ajrore përbënin vetëm 0,02% të volumit të përgjithshëm të importeve në vend, çka tregon se transporti ajror vijon të ketë një peshë të kufizuar në tregtinë e jashtme të mallrave, ndërsa mbetet segmenti me rritjen më të shpejtë për transportin e pasagjerëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër