Rama: Familja Hasani nga Thethi përfiton lejen e parë të Paketës së Maleve

Nga D V
685 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 30 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar të Territorit u miratua leja e parë në kuadër të Paketës së Maleve, përfituese e së cilës është familja Hasani nga Thethi.

Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga projekti fitues, ndërsa theksoi se Paketa e Maleve u krijon mundësi trashëgimtarëve të investojnë në trojet e të parëve dhe të rikthejnë në jetë shtëpitë e trashëguara.

“Sot u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit leja e parë e Paketës së Maleve, për familjen Hasani nga Thethi, e cila ka vendosur të investojë kursimet e veta në tokën e të parëve, në vendlindje, dhe të kthehet në Shqipëri”, shkroi Rama.

Sipas Kryeministrit, Paketa e Maleve u jep mundësi trashëgimtarëve që, “me ligj e jo vetëm me zakon”, të rilindin shtëpitë e vjetra të stërgjyshërve ose të zhvillojnë aktivitete ekonomike në pronat e trashëguara.

“Kjo është Paketa e Maleve, paketa e trashëgimtarëve që tanimë, me ligj e jo veç me zakon, mund të rilindin shtëpitë e vjetra të stërgjyshërve apo të zhvillojnë agroturizëm, prodhim bujqësor e blegtoral, si edhe agropërpunim, në tokat e të parëve të tyre”, theksoi Rama duke shtuar se “të tjerat, siç thoshte At Gjergj Fishta, janë DOKRRA HINI”.

Lidhur me ecurinë e programit “Paketa e Maleve” janë miratuar mbi 400 zona zhvillimi në 52 bashki të vendit, ndërsa numri i aplikimeve të miratuara ka kaluar 1 200 aplikime.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër